Shahini qetëson maturantët: Vlerësimi online nuk është nota formale finale
BKT
Shqipëri

Shahini qetëson maturantët: Vlerësimi online nuk është nota formale finale

Për maturën shtetërore nuk do të ketë pyetje nga leksione të pazhvilluara në shkollë, garantoi ministrja e Arsimit Bora Shahini në një videomesazh të postuar në facebook.

‘Nëse nuk arrijmë të përsërisim leksionet që kemi bërë kur kemi qëndruar në shtëpi, ato leksione nuk do të reflektohen në maturën shtetërore. Pra, nuk do ketë pyetje në maturën shtetërore nga leksione që nuk janë zhvilluar në shkollë”, qartëson ajo duke u bërë thirrje edhe njëherë nxënësve se nuk ka aspak vend për stres dhe se duhet të qëndrojnë të angazhuar gjatë kësaj periudhe në mënyrë që të përgatiten ta mbyllin këtë vit shkollor sa më suksesshëm që është e mundur.

 “Maturantët të mos stresohen shumë, të mësojnë për aq sa është e mundur. Të bëjnë ushtrime me librat që kemi botuar përmes QSHA, ku ka pyetje të cilat kanë rënë në matura të viteve të kaluara dhe thjesht të përgatiten për një test të zakonshëm që do ta bëjnë kur të kthehen në shkollë, kur të përsërisim leksionet që kemi zhvilluar në pjesën e parë të vitit dhe kur të bëhemi gati për maturën shtetërore”.

Shahini beson se një numër i madh fëmijësh po ndjekin mësimet nga leksionet që transmetohen në RTSh dhe përmes platforma të ndryshme online apo edhe rrjetet sociale. Dhe për këtë I referohet shifrave të INSTAT sipas të cilave 98% e familjeve shqiptare kanë televizor dhe 97%  e të gjitha familjeve shqiptare kanë një telefon celular, kryesisht “smart” në shtëpi.

Sa I takon kritikave për pamundësinë e një nxënësve për të marrë mësimet për shkak të mos pasjes së internetit apo të telefonave, ministrja Shahini thotë se atyre do u kushtohet vëmendje kur të kthehen në shkollë, transmeton oranews.

“Ky numër është i vogël dhe kemi listën emërore të këtyre nxënësve për secilën shkollë, në mënyrë që kur të kthehemi në shkollë, t’i kushtojmë vëmendje më të shtuar këtyre nxënësve dhe t’i ndihmojnë ta kapin hapin e nxënësve të tjerë të cilët kanë marrë mësim në kushte shtëpie”

Shahini i përgjigjet dhe kritikave sa I takon vlerësimit online

“Vlerësimi që bëhet në shtëpi është vlerësim orientues. Pra, nuk është notë formale finale. Nota formale dhe finale vendoset kur të kthehemi në shkollë dhe nxënësi pyetet ose testohet prapë nga mësuesi për leksionet që janë zhvilluar në këtë kohë ose që janë zhvilluar më përpara”, tha Ministrja Shahini.


MË SHUME NGA Shqipëri