VIDEO-Kërkohet sigurimi i automjeteve

VIDEO-Kërkohet sigurimi i automjeteve

Virusi Korona ka shkaktuar probleme dhe paqartësi edhe në sistemin e regjistrimit të automjeteve. Shumë qytetarë mendojnë se gjatë kësaj periudhë mund t’i ngasin veturat edhe pa polica të sigurimeve. 

Nga Shoqata e Sigurimeve u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i sigurojnë automjetet, sepse në rast aksidenti0 ballafaqohen me pagesë ndaj palës së tjetër, por dhe me gjykata.

Mbi 150 mijë vetura të paregjistruara në Republikën e Kosovës kanë qenë në qarkullim, para se në vendin tonë të rezultojë pozitiv personi i parë me Koronavirus.

Që nga muaji mars dhe prill ky numër është shtuar edhe më shumë, ndonëse Ministria e Brendshme dhe Administratë Publike për dy ditë me radhë nuk i janë përgjigjur RTK-së për shifrën e paregjistruar në këtë kohë pandemie.

Megjithatë,  Sami Mazreku, Drejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, ka thënë për RTK se pandemia e Koronavirusit  ka dëmtuar në masë të madhe sektorin e sigurimeve.

Ai ka thënë se që nga vendimi i Ministrisë së Brendshme për mbylljen e Qendrave të Regjistrimit në gjithë Kosovën, shitja e sigurimeve ka rënë për 50% e që kjo shifër gjatë muajit prill pritet të bjerë në 80%.

"Me datën 16 kur ka dal vendimi që të mbyllën të gjitha qendrat e regjistrimit dhe regjistrimi të vëzhdoj vetem në raste emergjente automatikisht menjehr ka ra nën 50% shitja e sigurimeve dhe momentalisht interesimi i qytetarëve pamarr parasysh që kemi edhe vetura shumë të shtrejta të cilët nuk e bojnë sigurimin", tha ai.

Mazreku u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve që kanë automjetet të paregjistruara që t'i paguajnë  policat e sigurimit nëpër kompanitë të cilat punojnë nga ora 09 deri në orën 15:00, ndonëse Qendrat e Regjistrimit në tërë Kosovën janë mbyllur më 17 mars pas një vendimi të ish-ministrit të Brendshëm Agim Veliu.

Ai ka thënë se në raste se drejtuesi shkakton aksident dhe nuk e ka të regjistruar veturën, aksidentuesi  me patjetër do të paguajë dëmin me përfundimin e pandemisë. Prandaj edhe vendimi i MPB-së ndalon regjistrimin, por jo edhe sigurimin e automjetit.

"Të gjitha ato dëmë që shkaktohen pa sigurim e nëse flasim me statistika vitin e kalum komplet damat që janë kon pfajtor janë konë 4.4 milon euro që i bie këto mjetet do të rimbursohen nga fajtori", tha ai.

Mazreku edhe njëherë u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos qarkullojnë pa policë të sigurimeve, pasi që dëmet do të jenë shumë të mëdha.

Autor: Visar Shatrolli, RTK