Kurti në Lipjan për të diskutuar rreth situatës me koronavirus

Kurti në Lipjan për të diskutuar rreth situatës me koronavirus

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, sot ka pritur në takim Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, ministren në detyrë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepin, të cilët vizituan komunën e Lipjanit për të diskutuar lidhur me situatën aktuale të krijuar nga pandemia Covid-19.

Kryetari Ahmeti së bashku me bashkëpunëtorë dhe anëtarët e Shtabit Emergjent Lokal, e njoftuan kryeministrin dhe ministrat për gjendjen rreth Covid-19 në komunën e Lipjanit, respektimin e masave të caktuara nga Qeveria, ministritë dhe IKShP-ja, si dhe angazhimet e Komunës për menaxhim të kësaj situate.

Pas takimit kryetari Ahmeti duke falënderuar kryeministrin dhe ministrat për vizitën dhe bashkëpunim me Komunën, shprehu rëndësinë e këtij takimi në aspekt të koordinimit me nivelin qendror dhe kërkoi edhe njëherë nga qytetarët për të vazhduar me respektim të masave që i shërbejnë parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19, transmeton E.O.

Ndërkaq kryeministri Kurti bëri të ditur se në vazhdën e takimeve me kryetarët e komunave të Kosovës, sot vizitoi Komunën e Lipjanit, për të parë nga afër situatën në këtë komunën.

Ai gjithashtu e përgëzoi kryetarin Imri Ahmeti për punën e bërë dhe bëri apel tek të gjithë për të shtuar disiplinën në ditët dhe javët në vijim të këtij muaji vendimtar, për ta tejkaluar këtë krizë shëndetësore me sa më pak pasoja dhe sa më shpejt.