Juventusi nuk heq dorë nga Icardi, përdor kartën Cuadrado!
Kur afati i transferimeve të futbollistëve të rihapet një nga “stuhirat” e verës do të jetë sërish ajo që lidhet me një transferim të mundshëm të Mauro Icardit te Juventusi.
E ardhmja e sulmuesit argjentinas te Paris Saint Germain është në dyshim të madh, pasi në verë atij i përfundon huazimi te kampionët e Francës por me shumë gjasa Icardi nuk do të kthehet te Interi. Dëshira e bomberit nga Rosario është të veshë fanellën e klubit bardhezi por kjo nuk do të jetë e lehtë, prandaj për të bindur Interin, kampionët e Italisë janë gati të përdorin kartën Cuadrado.
Pavarsisht përgënjeshtrimeve të ardhura nga Parisi, drejtori sportiv i Juves Fabio Paratici dhe bashkëshortja menaxhere e Icardit Wanda Nara i kanë ruajtur kontaktet gjatë gjithë sezonit dhe në verë bardhezinjtë do të bëjnë çmos për të marrë Mauriton nga Interi. Zikaltërit për t’u ulur në bisedime kërkojnë plot 70 milionë euro, ose ndonjë lojtar në shkëmbim që mund t’i pëlqejë Contes. Sipas calciomercato.com, Juventusi është gati të përfshijë në bisedime kartonin e Juan Cuadrados që vlerësohet 20 milionë euro dhe ka një kontratë deri në vitin 2022 me klubin bardhezi.























