U mjekuan nga infermierja me koronavirus, tre pacientë në gjendje të rëndë
Në spitalin e Shkodrës, tre pacientë raportohet të jenë në gjendje të rëndë për shkak të patologjive prej të cilave janë shtruar.
Por, ata gjithashtu rezultojnë edhe të infektuar me koronavirus pasi janë mjekuar nga një infermiere e cila po ashtu rezultoi të ishte pozitive për Covid-19 në 24 orët e fundit. Një pacient i katërt i cili ishte rëndë ndërroi jetë sot.
Për pacientin e katërt, Ministria e Shëndetësisë lajmëroi sot se kishte ndërruar jetë si pasojë e një hemorragjie cerebrale, duke hedhur poshtë mundësinë që virusi të ketë pasur ndonjë ndikim.
Tre pacientët e tjerë që janë bartës të COVID-19 janë transferuar gjatë ditës së sotme në dy spitalet COVID.
Ministria e Shëndetësisë informon se në Shkodër ka nisur një hetim epidemiologjik, pas konfirmimit të një infermiereje të spitalit rajonal Shkodër pozitiv në 24 orët e fundit (rasti i personelit shëndetësor i raportuar në deklaratën për media të ditës së sotme).
Sipas epidemiologëve dhe përfaqësuesve të Institutit të Shëndetit Publik që po kryejnë hetimin epidemiologjik në terren, dyshohet se ky rast është i lidhur me rastin e infermieres, e cila, sipas hetimit epidemiologjik, është infektuar në komunitet.























