Shqipëria dhe Kosova duhet të riorientojnë prodhimin dhe bashkëpunimin
Sharr Travel

Shqipëria dhe Kosova duhet të riorientojnë prodhimin dhe bashkëpunimin

Ilir Aliu, zv.ministër në detyrë i Financave dhe Transfertave në Qeverinë e Kosovës tha se, qeveria e zotit Kurti është shumë e interesuar të forcojë bashkëpunimin reciprok në fushën e turizmit. Ai bëri thirrje që në rrethanat e reja, më shumë se sa të shërbimet, duhet të riorientohemi te prodhimi në të dyja vendet.

A ka vend për mundësi bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për të përballuar emergjencën që ka krijuar pandemia?

Ne jemi duke bashkëpunuar, për shembull në zhdoganimin e mallrave në Durrës, nga ana e doganierëve në Shqipëri. Ne jemi mirënjohës që doganierët trajtohen njëjtë. Një bashkëpunim i tillë duhet të thellohet edhe në sferat e tjera. Po ashtu, sa jam në dijeni, mjekët dhe profesionistët tanë, ashtu dhe ministrat e linjës, po bashkëpunojnë në baza ditore.

Ministrat e Jashtëm e të Infrastrukturës si dhe organet e rendit publik e policive kufitare po bashkëpunojnë gjithashtu. Në këto kohë të vështira për të dyja shtetet tona, thellimi i bashkëpunimit prej shkëmbimit të informatave dhe njohurive që po i mësojmë çdo ditë për pandeminë që e ka kapluar tërë botën deri te shkëmbimi i përvojës për masat e minimizimit të dëmeve në ekonomi janë më se të domosdoshme. Në të dy anët e kufirit kemi nevojë për ndihmë financiare nga institucionet ndërkombëtare (financiare).

A ka pasur përpjekje për të nisur këtë bashkëpunim dhe në çfarë sektorësh mund të shtrihen ato?

Një bashkëpunim më i integruar do të duhej të analizohej mirë dhe sa më parë të zbatohej, mirëpo tani për tani, mendoj se duhet të kemi përparësi ndalimin e pandemisë; lëvizjet janë të kufizuara dhe është e pamundur që në këtë moment të fillojmë një bashkëpunim më të madh në kuptimin që kemi ideuar më herët. Duhet theksuar po ashtu se është e rëndësishme që lëvizja e mallrave, siç janë ato të sektorit shëndetësor, të bëhet pa kufizime në të dy anët e kufirit.

Shqiptarët nga qytetet shqiptare përtej kufirit kanë qenë burimi kryesor i turizmit në Shqipëri. Çfarë roli mund të luajë qeveria e Kosovës që kjo ofertë të vazhdojë dhe madje të forcohet?

Ne shpresojmë se pandemia do të zbehet në javët në vijim, duke na lejuar që t’i rikthejmë aktivitetet e mëhershme për aq sa do të jetë e mundur. Në kushte të tjera, do të thosha që turizmin Kosovë-Shqipëri dhe anasjelltas do ta avancojmë edhe para sezonit veror turistik. Ne jemi shumë të interesuar të forcojmë bashkëpunimin reciprok në fushën e turizmit. Por aktualisht shumëçka është vënë në pikëpyetje dhe tema krejt të tjera janë para nesh. Mbase rrethanat do të na diktojnë të fokusohemi më shumë se sa te shërbimet, tek prodhimi dhe riorientimi i prodhimit në të dyja vendet.

A mund të bëhet një fushatë e bashkërenduar për një turizëm patriotik nga i cili të përfitojnë edhe qytetet shqiptare përtej kufirit?

Po, unë e besoj një gjë të tillë. Të gjitha viset shqiptare kanë karakteristika dhe bukuri natyrore të veçanta, andaj nuk mendoj që këtu duhet të ketë ‘konkurrencë’ nëse mund të them ashtu; ajo që ne duhet të sigurojmë është që të kemi shërbime sa më të mira dhe siguri për të gjithë turistët.

Po sektorët e tregtisë dhe prodhimit, a mund të përfshihen në një bashkëpunim si në turizmin patriotik?

Qeveria Kurti sapo ka filluar me eliminimin e të gjitha pengesave duke përfshirë edhe tregun e punës. Synimi ynë është që – punëtorët nga Shqipëria që gjejnë punë në Kosovë dhe anasjelltas – të trajtohen njëjtë nga të dy shtetet. Andaj, nuk do duhej të kemi pengesa dhe kufizime të tilla. Duhet të kemi të njëjtat kushte dhe të drejta në të dy anët e kufirit. E njëjta gjë duhet të ndodhë me një mori licencash që me bashkërendim do të njëjtësoheshin.

Çfarë do të sugjeroni Ju nga përvoja juaj për një bashkëpunim të qëndrueshëm ekonomik Shqipëri-Kosovë?

Një bashkëpunim i qëndruar ekonomik, përtej eliminimit të pengesave, kërkon integrim të politikave publike siç janë: sistemi tatimor, doganat, tregu i punës, harmonizimi i politikave të arsimit, e pse jo edhe të tregut të kapitaleve. Nëse ne planifikojmë të ardhmen e përbashkët, atëherë pikësëpari, kurrikula në arsim do të ishte më se e rëndësishme të planifikohej, si dhe të analizohen nevojat që t’i ngrinim kapacitetet bashkërisht.


MË SHUME NGA Intervista