Crespo: Lautaro, qëndro tek Interi! Pas tre vitesh flasim sërish
Hernan Crespo ka qenë një ndër sulmuesit më të mirë të viteve të arta të Serie A. Inter, Milan, Lazio, Parma dhe Chelsea, janë disa prej skuadrave ku ish-bomberi argjentinas ka luajtur e shënuar gola.
45-vjeçari ka nisur karrierën e trajnerit prej 6 vitesh dhe aktualisht drejton Defensa y Justicia, skuadër që garon në elitën e futbollit argjentinas.
Crespo ishte pjesë e Interit në dy periudha, 2002-2003 dhe 2006-2009. Ai ka mbetur i lidhur me ngjyrat zikaltër, me të cilat po spikat Lautaro Martinez. 22-vjeçari ka shënuar 16 gola këtë sezon dhe zërat e merkatos e lidhin me një transferim te Barcelona, por Crespo e këshillon të qëndrojë, në prononcimin e dhënë për Gazzetta dello Sport.
“E këshilloj Lautaron të qëndrojë tek Interi, pa asnjë pikë dyshimi. Ky është sezoni i tij i parë konstant që ka bërë jashtë Argjentinës. I duhen të paktën edhe tre vite vazhdimësi dhe rritje. Më pas mund të mendojë të transferohet diku tjetër”, deklaron Hernan Crespo.























