Hyseni: S’qëndrojmë në një qeveri që prish raportet me partnerët
Anëtari i Kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni, ka thënë se LDK-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin sa i përket reciprocitetit. “Ka tri lloje reciprociteti që aplikohen në teorinë ndërkombëtare”, ka thënë Hyseni.
Qeveria ka vendosur reciprocitet të plotë, ka vazhduar ai, duke thënë se “nuk është aq e thjeshtë si pretendohet të prezantohet në opinion çështja e reciprocitetit”.
“Në rrethanat ekzistuese, derisa Kosova nuk e ka përmbyllur procesin e shtetndërtimit, aplikimi i reciprocitetit të plotë nuk është i mundshëm”, ka thënë ai dhe i ka dhënë disa arsye.
Hyseni ka thënë se LDK-ja ka qenë e përkushtuar që qeveria Kurti t’i përmbushte ato “kërkesa minimaliste”. “LDK-ja ia ka bërë vazhdimisht me dije LV-së që tarifa duhet të hiqet dhe që të bëhet një listë me masa reciprociteit. E në vend se Kurti të pajtohej me të, atë papritur e shohim një ditë në konferencë për medie që del dhe flet për një heqje të përshkallëzuar të tarifës, e jo të plotë si kërkonte Uashingtoni”, ka thënë Hyseni.
Ai ka vazhduar se Kurti “në vend ta denjonte me përgjigje Mustafa, shkarkoi një ministër të LDK-së, pa asnjë konsultim paraprak, si ishte përcaktuar në marrëveshjen e koalicionit”.
“Kurtit i është thënë qartë se, nëse nuk pajtoheni me kërkesat nga Uashingtoni, të cilat janë eksplicite, LDK-ja nuk mund të qëndrojë në një qeveri që prish raporte me partnerët strategjike të saj. Por, kjo do të ndodhte pas pandemisë. E Kurti u përgjigj me shkarkimin e një zyrtari të lartë”, ka thënë ai në KTV.























