Behrami: As kundërshtarët e Kosovës s`flasin kështu si Kurti për Amerikën
Artan Behrami, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, urrejtjen që e ka për Amerikën e ka eksportuar edhe nëpër ballinat e mediave ndërkombëtare.
Duke komentuar një intervistë të Kurtit, Behrami ka thënë se as kundërshtarët më të mëdhenj të Kosovës nuk kanë futur kaq shumë urrejtje sa Kurti brenda një interviste kundër Amerikës dhe oponentëve politikë.
Postimi i plotë:
Territori i Kosovës ishte i pamjaftueshëm për ta zënë mllefin dhe urrejtjen që kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka për Amerikën dhe të gjithë ata që mendojnë ndryshe prej tij!
Këtë urrejtje Kurti e ka eksportuar edhe nëpër ballinat e mediave ndërkombëtare, duke e ushqyer botën paralele të një Kosove, e cila nuk duhet të jetë pjesë e proceseve gjeopolitike të imperializmit amerikan të presidentit Trump dhe të dërguarve neokolonialistë të tij!
Në një intervistë për “Foreign Policy”, Kurti 90% flet kundër Amerikës dhe oponentëve të tij politikë. Asnjë fjalë për krimet serbe. Asnjë fjalë për të pagjeturit. Asnjë fjalë për investimin rus për destabilizimin e rajonit. Asnjë fjalë për integrimet evropiane. Dhe, asnjë kërkesë për ta mbështetur Kosovën në kohën e pandemisë!
Mediat ndërkombëtare në tri dekadat e fundit gjithmonë na kanë shërbyer si platformë për promovimin e kauzës për liri, pavarësi dhe për promovimin e sukseseve të Kosovës në shërbim të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Por, me intervistat e fundit në mediat ndërkombëtare, Kurti e ka zbehur pamjen e krijuar tash e sa dekada se Kosova është vendi më proamerikan në botë!
As kundërshtarët më të mëdhenj të Kosovës nuk kanë futur kaq shumë urrejtje sa Kurti brenda një interviste kundër Amerikës dhe oponentëve politikë.
Një qasje e tillë e rrezikon seriozisht miqësinë me Amerikën dhe kredibilitetin e Kosovës në politikën e jashtme.
Prandaj, distancimi qoftë edhe simbolik i Ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, nga kjo qasje agresive e Kurtit ndaj Amerikës është inkurajuese. Por, ai nuk duhet të mbetet një zë i vetmuar brenda Lëvizjes Vetëvendosje!























