Zbulohet një laborator droge, dy të arrestuar dhe dy të shpallur në kërkim
BKT
Shqipëri

Zbulohet një laborator droge, dy të arrestuar dhe dy të shpallur në kërkim

Policia ka zhvilluar operacionin antikanabis i koduar “Laboratori”, zhvilluar nga seksioni për hetimin e narkotikëve në DVP Fier.

Në sajë të operacionit ëështë zbuluar një laborator, i cili ishte në funksion të kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa janë vënë në pranga 2 autorë të dyshuar dhe 2 të tjerë shpallen në kërkim.

“Nga ana e Seksionit për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pas informacioneve të marra më parë në rrugë operative, u finalizua operacioni antikanabis i koduar ”Laboratori”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë A.K., 22 vjeç dhe Q.K., 48 vjeçe, banues në Mbrostar, Fier.

U shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorë të tjerë, konkretisht shtetasit A.K., banues në Mbrostar, Fier dhe F.B., 33 vjeç, banues në Kosovë.

Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kishin përshtatur ambientin e banesës së 53-vjeçarit A.K., me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 312 fidanë të dyshuar Kanabis, të kultivuara, pajisjet të cilat kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike si dhe një pajisje presimi, gërshërë etj.

Nga këqyrja në ambientet e jashtme të rrjetit elektrik, është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin e paisjeve, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Në këtë kuadër u proceduan penalisht tre elektricistë, G.M., E.M. dhe B.Q., banues në Fier. Këta shtetas duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në banesën e shtetasit A.K.

Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Shpërdorimi i detyrës””, njofton policia.


MË SHUME NGA Shqipëri