Osmani kujton Aganin: I shërbeu vendit me gjithë qenien e tij
BKT
Lajme

Osmani kujton Aganin: I shërbeu vendit me gjithë qenien e tij

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar profesorin Fehmi Agani në 21 vjetorin e vrasjes së tij.

Përmes një shkrimi në facebok ajo e vlerësoi lart kontributin e Aganit për Kosovë, të cilin e cilësoi njeri të urtë, tepër modest, por këmbëngulës në përpjekjen për jetësimin e idealeve të brezave për liri.

“Ai u vra më 6 maj 1999 nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviçit. Vrasja e tij qe përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Dr. Agani, njeri i urtë, tepër modest, por këmbëngulës në përpjekjen për jetësimin e idealeve të brezave për liri, qysh më 1968 qe njëri ndër bartësit e debatit për Republikën e Kosovës. Në vitet ’80 ai ngrehu zërin kundër diferencimeve politike dhe sidomos kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetuese, për t’iu bashkuar nismës për themelimin e LDK-së, e cila u shndërrua në lëvizje të fuqishme kombëtare kundër ideologjisë totalitare dhe i bashkoi shqiptarët përreth idesë së lirisë”.

Ajo pohoi se Fehmi Agani sot kujtohet si personalitet me mendim të thellë politik, promotor i mendimit politik ndër shqiptarë dhe i përafrimit të pikëpamjeve të ndryshme rreth projektit të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci.


MË SHUME NGA Lajme