Zyra e Kryeministrit: Kurti s’është ftuar nga Specialja, paditet Zeka
BKT
Lajme

Zyra e Kryeministrit: Kurti s’është ftuar nga Specialja, paditet Zeka

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka pranuar asnjëherë ftesë nga Gjykata Speciale. Kjo është konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit, duke njoftuar se kanë dorëzuar padi për pretendimet e ngritura rreth kësaj çështje ndaj ish-deputetit Milaim Zeka.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka ka hedhur poshtë pretendimet e një pjese të mediave se kryeministri në detyrë Albin Kurti ka pasur ftesë nga Gjykata Speciale.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se kryeministri në detyrë nuk ka pranuar asnjëherë ftesë nga Specialja.

“Jo, kryeministri Kurti nuk ka pranuar asnjëherë asnjë ftesë nga Gjykata Speciale, dhe ky lajm nuk qëndron. Të njëjtat pretendimet, duam të rikujtojmë që janë hedhur në publik javë më parë në disa studio televizive në vendin tonë, për të cilat pretendime tashmë është dorëzuar padi", ka shkruar Manxhuka.

Kurse zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka konfirmuar se ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ngritur padi ndaj ish-deputetit të Kuvendi të Kosovës, Milaim Zeka, pas disa deklaratave të këtij të fundit se kryeministri Albin Kurti dhe vetë ministrja Haxhiu janë takuar me kryeprokurorin e Gjykatës Speciale.

Haxhiu përmes padisë së dërguar në Gjykatën Themelore, pretendon se Zeka ka shpifur dhe kështu ka dëmtuar reputacionin e saj dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.“Kjo deklaratë dihet qartazi se është e pasaktë dhe për këtë është në dijeni edhe vet i padituri Milaim Zeka por e ka bërë këtë me qëllim të dëmtimit dhe cenimit të imazhit të palës paditëse”, thuhet në mes tjerash në padi.

Haxhiu ka kërkuar kompensim në të holla dhe sipas saj këtë vlerësim duhet ta bëjë Gjykata kompetente që e trajton rastin.“Pala paditëse vlerëson se për shkak të përjetimit të dhimbjes shpirtërore, denigrimit të personalitetit dhe cenimit të autoritetit, në bazë të nenit 182 par. 1 të Ligjit nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, kompensimi i dëmit jo material të bëhet në të holla në vlerë të caktuar në bazë të vlerësimit të gjykatës kompetente”, potencohet në padi ndër të tjera.


MË SHUME NGA Lajme