Njerëzit duan që princ William të jetë princ-regjent
Në Mbretërinë e Bashkuar duket se ka një qasje që princ William të jetë princ regjent.
Në një sondazh online të Express, pyetjes “Ndërsa mbretëresha dhe princi Charles janë të rrezikuar nga koronavirusi, a duhet të shërbejë princ William si regjent?”76% e njerëzve iu përgjigjën me “po”. Sigurisht që numri i votuesve në sondazh është i kufizuar dhe vështirë se mund ta quajmë një sondazh të mirëfilltë që mund të merret në konsideratë, mirëpo nga ana tjetër krijon një ide të përgjithshme mbi opinionin publik.
Regjent është ai/ajo që sundon përkohësisht në një monarki, kur mbreti/mbretëresha është i/e mitur, është i/e sëmurë, ndodhet larg vendit etj. Pra, e thënë me fjalë të tjera, një princ regjent merr detyrat e mbretit/mbretëreshës.
Në nëntor të 2019-s pati zëra se mbretëresha Elizabeth II do të hiqte dorë nga detyrat e saj (në moshën 95-vjeçare) dhe froni do t’i kalonte të birit, princit Charles. Nëse një gjë e tillë është e vërtetë, atëherë princi regjent do të jetë Charles dhe jo William. Ky i fundit është i dyti në radhën për fron pas të atit. Megjithëse sondazhet online tregojnë se William ka më tepër pëlqyeshmëri nga njerëzit. Sidoqoftë, fjalën e fundit e ka mbretëresha, e cila duket se nuk ka në plan të largohet nga froni.























