Vitia falënderon ata që qëndruan në vijë të parë të frontit kundër Covid-19
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që mori në duar frenat e shëndetësisë në kohën e pandemisë, në 100 ditëshin e Qeverisë Kurti ka falënderuar të gjithë ata që u përballen me pandeminë në vijën e parë të frontit dhe ata që ndihmuan financiarisht Kosovën.
“Në IKSHPK nga data 8 shkurt deri sot janë testuar mbi 10 mijë mostra të dyshimta ku pozitivë kanë dalë 919 dhe 29 raste kanë rezultuar me fatalitet. IKSHPK pa ndërprerje vazhdon gjurmimin dhe monitorimin e situatës epidemiologjike”.
“Kemi lëshuar linjën ku qytetarët mund të thërrasin për ndihmë dhe në ditë vijnë nga 200-300 thirrje mesatarisht që pranohen nga personeli i IKSHPK-së. Faza e parë e hapjes ka filluar të zbatohet, për fazën e dytë dhe të tretë do të bëhet një rivlerësim të situatës”.
Vitia tha se janë përballë me shumë mungesa në pajisje shëndetësore për ta luftuar Covid-19.
“Mbështetje të madhe kanë dhënë edhe shumë donatorë, me theks të veçantë Komisionit Europian. Gjithashtu falënderojmë shtetin e Turqisë, shumë projekte e organizata të tjera si UNICEF”.
“Ministria e Shëndetësisë ka siguruar edhe strehimore për viktimat e dhunës në familje. Po ashtu, është përgatitur dhe funksionalizuar njësia e veçantë për gratë shtatzëna që kanë dalë pozitive në koronavirus”.
“Falënderoj Policinë e Kosovës, zjarrfikësit, policët, pastruesit, kryetarët e komunave,vullnetarët, Klinikën Infektive që kanë ndihmuar që të ketë sa më pak pasoja në njerëz nga kjo pandemi”.























