Futbollistët agjërues: Pandemia e pati edhe anën pozitive
Mentor Zhdrella, Kastriot Rexha e Arbër Prekazi janë vetëm tre nga shumë futbollistë të Superligës së Kosovës, të cilët përveç në fushën e lojës shquhen edhe si besimtarë të devotshëm.
Gjatë karrierës së tyre u ka rastisur shumë herë të luajnë edhe duke qenë agjërueshëm, por sivjet nuk u sfiduan në këtë mënyrë.
Pandemia (koronavirusi) që e ka kapluar mbarë botën, e ka pezulluar edhe futbollin e Kosovës dhe nëse kjo situatë ka pasur diçka të mirë, atëherë së paku mund të thuhet se sportistët besimtarë të fesë islame e kanë pasur më lehtë t’i kryejnë obligimet e tyre.
Zhdrella: Periudhë e vështirë, por edhe me anë pozitive
Njëri nga futbollistët më të mirë në Kosovë në periudhën e pasluftës, Mentor Zhdrella, në një prononcim për gazetën Objektiv ka thënë se kjo periudhë, përkundër shumë pasojave dhe dëmeve, është më e lehtë për agjëruesit.
“Është e vërtetë se kjo pandemi ka shkaktuar dëme të mëdha në mbarë botën dhe në të gjitha lëmit e jetës, pra edhe në futboll. E vështirë është edhe për ne sportistët, që megjithatë po përpiqemi të bëjmë sa më tepër aktivitet fizik. Gjithsesi, për sportistët që agjërojnë ka qenë më lehtë se në të kaluarën, pasi nuk është duke u zhvilluar kampionati. Zoti ua pranoftë agjërimin të gjithëve”, ka thënë mesfushori i Llapit.
Rexha: Pandemia na ndihmoi në këtë aspekt
Sulmuesi i Dritës, Kastriot Rexha, po ashtu thekson se kjo periudhë ka qenë pozitive së paku në aspektin e kryerjes së obligimeve fetare. “Nuk ka dyshim se koronavirusi ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në futboll, sikur edhe në të gjitha sferat tjera të jetës. Sidoqoftë, e gjithë kjo situatë e ka edhe anën pozitive. Është e qartë se shumë futbollistë e kanë problem të agjërojnë në kohën kur është duke u zhvilluar kampionati, duke marrë parasysh se ngarkesa është shumë më e madhe”, është shprehur Rexha për Objektiv.com.
Prekazi: Ky Ramazan ndryshe nga të tjerët
Mbrojtësi i Ballkanit, Arbër Prekazi, njihet si besimtar, por edhe familjar i përkushtuar. Pikërisht karantimi ia ka mundësuar t’u kushtojë më tepër kohë familjes dhe obligimeve fetare.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të kësaj kohe mjaft të vështirë me përmasa globale, e që përveç pandemisë si virus, neve si shoqëri na ka sjellë probleme të mëdha sociale e ekonomike, probleme që tani më nevojitet punë dhe ndihmë nga shteti në pakot emergjente financiare për lehtësimin e mirëqenies në familje dhe rimëkëmbjen e ekonomisë”, ka thënë Prekazi.
“Megjithatë, nëse e shikojmë nga një kënd tjetër, kjo koha e karantinimit na ka mundësuar që t’i përkushtohemi shumë më tepër familjeve tona dhe ta shohim se sa e rëndësishme është puna me fëmijët tanë në aspektin social e arsimor. Gjithashtu në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, për ne sportistët besimtarë e agjërues ka qenë një ndër më të lehtit për ta agjëruar pasi, si asnjëherë më parë kemi agjëruar duke qenë në shtëpitë tona e jo si herëve tjera kur agjëronim gjatë fazave përgatitore e me ngarkesa fizike të mëdha. Kështu që krahas problemeve të mëdha që ka sjellë gjendja pandemike, ajo ka sjellë edhe disa anë pozitive në jetën tonë sociale”, është shprehur Prekazi.
Tre futbollistët, por edhe të tjerët shpresojnë që sa më shpejt të rifillojë kampionati.























