FFK zvogëlon pagat për të punësuarit, jep shpresë për rifillim të garave
BKT
Sport

FFK zvogëlon pagat për të punësuarit, jep shpresë për rifillim të garave

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së në mbledhjen e sotme ka vendosur që të punësuarve në këtë federatë t`ua zvogëlojë pagat deri në 50 përqind si pasojë e pandemisë Covid-19. Në njoftimin e kësaj federate nuk është bërë e ditur nëse në këtë shkurtim të pagave hyn edhe përzgjedhësi Bernard Challandes, kontrata e të cilit skadon pikërisht muajin tjetër.

Ja njoftimi i plotë i FFK-së:

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për situatën në futbollin e Kosovës, pas përhapjes së Pandemisë së Covid 19. KE analizoi opsionet e mundshme për rifillimin  e garave dhe për këtë FFK-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet shtetërore, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe KOK-un sikur edhe me UEFA-n dhe FIFA-n dhe varësisht prej situatës së shpejti pritet edhe të merret vendimi për garat në futbollin e Kosovës. KE trajtoi gjendjen dhe ecurinë e realizimit të projekteve infrastrukturore, të cilat edhe në këtë kohë të vështirë janë kryer shumë  punë varësisht nga rrethanat e lejueshme dhe do të vazhdojnë edhe më tutje. KE shqyrtoi dhe miratoi Raportin Financiar për vitin 2019. Duke parë gjendjen e rëndë me të cilën po ballafaqohet Kosova, KE mori vendim që pagat e të punësuarve në FFK, të ulen deri në 50 për qind e të cilat mjete do të shfrytëzohen për pako ushqimore për njerëzit me nevojë.  KE shqyrtoi edhe kërkesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.