Manastirliu paralajmëron hapa pas: Do të ngremë frenat e emergjencës
BKT
Shqipëri

Manastirliu paralajmëron hapa pas: Do të ngremë frenat e emergjencës

Jemi në një fazë të lehtësimit të masave, por ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu paralajmëron hapa pas.

Pas dy ditëve të fundit, me rritje të rasteve me COVID-19, ministrja ngriti alarmin dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të respektuar rregullat.

“Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes. Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot. Nëse do të vazhdohet me tendencën përkeqësuese të ditëve të fundit, do të jemi të detyruar të bëjmë hapa pas. Dhe kjo nuk është në interes të askujt! Sigurisht nuk ka vend për alarm, por jemi në një moment ku kërkohet përgjegjshmëri nga çdo qytetar. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është mbi gjithçka”, tha Manastirliu.

Duke deklaruar se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbështet planin e hapjes dhe lehtësimin e masave, Manastirliu deklaroi se nëse do të vijojnë rritje të rasteve, sipas skenarëve, mund të përdoren frenat e emergjencës.

"Ditët në vijim do të jenë vendimtare për planin e ri-hapjes. E kemi të gjitha në dorë nëse do të vijojmë me planin e lehtësimit të masave apo do të na duhet të ngremë frenat e emergjencës", tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kërkoi nga qytetarët respektimin e rregullave për të mos u kthyer në gjendjen e mëparëshme.

“Ekspertët tanë e kanë thënë që në kryer të herës. Faza e lehtësimit merr kuptim vetëm nëse shoqërohet me një ulje të qëndrueshme të numrit të infektimeve. Plani i lehtësimit të masave varet vetëm nga bashkëpunimi me ju. Është e vërtetë që ndëshkimet nuk janë zgjidhja, por është po aq e vërtetë se nuk mund të penalizohet një popull i tërë nga një pakicë, veprimet e së cilës mund të shkaktojnë dëme të pallogaritshme”, tha Manastirliu.


MË SHUME NGA Shqipëri