Universiteti i Prishtinës është përgatitur edhe për provimet online

Universiteti i Prishtinës është përgatitur edhe për provimet online

Intervistë me Prorektorin për Mësim dhe Çështje për Studentë në Universitetin e Prishtinës, Hysen Bytyqi.

Radio Kosova: Prorektor Bytyqi, arsimi i lartë është në një proces të mësimit online, si ka shkuar deri tani ky proces në Universitetin e Prishtinës? 

Hysen Bytyqi: Pas vendimit të Qeverisë për ndërprerje të mësimit, si pasojë e pandemisë, Universiteti i Prishtinës, më 16 mars ka filluar mësimin online me të gjitha programet studimore, kur flas për programet studimore, flas për 154 programe studimore në tri nivele. Deri më tani, mund të them që ky proces ka ecur më mirë sesa që e kemi pritur edhe vetë, për arsye se ka ekzistuar një gatishmëri dhe një dëshirë nga të gjitha palët, që ky proces të ecën mbarë. Menaxhmenti qendror së bashku me IT, ka siguruar një infrastrukturë për të realizuar këtë proces. Është me rëndësi të përmendet se gjatë procesit jemi munduar të pajisim njësitë akademike me dokumente e vendime shtesë, që të menaxhojnë në mënyrën më të mirë procesin. UP ka disa programe që janë të lidhura ngushtë me punën praktike e laboratorike, e sidomos Fakulteti i Mjekësisë, ku një pjesë e madhe ka qenë në frontin e parë në parandalimin e pandemisë. Deri më tani çdo gjë po ecën mbarë sa i përket mësimit online.

Radio Kosova: A është arritur që në këtë proces të përfshihen të gjithë studentët e UP-së?

Hysen Bytyqi: Në këtë drejtim, pa investimin e UP-së, por me investimin e mbarë shoqërisë në Kosovë, del se përfshirja e Kosovës në mundësinë e shfrytëzimit të rrjetit online është pothuajse në nivelin e çdo shteti evropian, duke e kaluar atë të rajonit. Realisht, ne nuk kemi pasur, unë në cilësinë e prorektorit, por edhe në përgjithësi menaxhmeti,  ndonjë raportim nga ana e dekanëve apo studentëve, që nuk kanë mundur të kyçen në ligjërata. Fleksibiliteti ka qenë maksimal që profesorët t’i përshtaten kushteve të studentëve. Natyrshëm ky proces ka ecur mbarë, por në asnjë mënyrë në situatën e rregullt nuk e zëvendëson përqindjen më të madhe, cilësinë e menaxhimit të ligjëratave dhe ushtrimeve në formën fizike. Pra, kjo ka qenë një situatë që për ne ka qenë e rëndësishme ta menaxhojmë. Çka vlen të përmendet është se, pasi ndodhi kjo situatë jemi duke bërë përpjekje që disa gjëra të cilat kanë dalë mirë nga sistemi online, të adaptohen edhe nesër kur të kthehemi në objekte. Vijueshmëria e profesorëve dhe studentëve ka qenë më e lartë se sa në formën fizike. Ka shumë gjëra të cilat janë pozitive, të cilat do të provojmë t’i adaptojmë.

Radio Kosova: Prorektor, gjatë kësaj periudhe gjithashtu ka pasur edhe mbrojtje të diplomave. 

Hysen Bytyqi: Kemi parë në proces, që disa prej studentëve mbetën mbrapa dhe që në ditët e para të pandemisë parashtruan kërkesë. Universiteti i Prishtinës, menjëherë në bashkëpunim me gjithë kolegjiumin e dekanëve, morëm një vendim të tillë që fillimisht për nivelin bachellor të realizohen temat e diplomave, dhe për këtë ofruam gjithë udhëzuesit se si duhet të menaxhohet situata, gjithmonë duke e ruajtur cilësinë. Nga aspekti cilësor nuk preket asgjë, sepse të gjitha do të verifikohen. Fill pas kësaj, kemi pasur kërkesa edhe për temat master, ku në të njëjtin proces është duke shkuar. Deri më tani po ecën mbarë. Për nivelin e doktoratës, është një nivel tjetër, ku mendojmë që të presim se si po ecën situata me pandeminë. Tani për tani, për nivelin e doktoratës nuk e kemi paraparë, pasi konsiderojmë se është shumë më shkencore.

Radio Kosova: Prorektor, kur është paraparë që të përfundojë procesi i mësimit për këtë vit akademik, përfundimi i ligjëratave, për të filluar më pas me provimet?

Hysen Bytyqi: Meqë ne filluam mësimin online duke humbur vetëm dy ditë pune, praktikisht nuk kemi humbur asgjë. Ne planifikojmë që të gjitha punët të ecin në atë drejtim, që semestri të përfundojë në fund të muajit maj, sikur çdo vit akademik tjetër i rregullt. Ndërsa, te disa njësi akademike, për shkak të specifikave të programeve dhe lëndëve të caktuara, kemi lënë një fleksibilitet sa i përket punës praktike. Nëse në pjesën e tretë të lehtësimit të masave për shkak të pandemisë, mundësohet kthimi në objekte, atëherë pedagogët që kanë mbetur mbrapa më punë praktike kanë mundësi që nga data 1 deri më 10 qershor ta menaxhojnë këtë. Sa i përket afatit të provimeve në qershor, UP është i përgatitur me dy skenarë. Skenari i parë është më i favorshmi për ne, besoj edhe për studentët, ku nëse në pjesën e tretë të masave lehtësuese do të kemi mundësi të kthehemi, atëherë ne, bazuar në këshillat për ruajtje të shëndetit, do të menaxhojmë provimet me prezencë fizike të studentëve në objektet e njësive akademike. Në rast se situata nuk ka ndonjë përmirësim, atëherë UP është përgatitur që të menaxhojë situatën për provime online, natyrisht me disa segmente të caktuara. Do të formohen grupe shumë të vogla, sepse duhet që të gjitha mjetet që përdoren për ta mundësuar këtë proces onilne, të sigurojnë një cilësi maksimale. 

Radio Kosova: Pra, Universiteti i Prishtinës është përgatitur edhe për mbajtjen e provimeve online. A keni marrë ndonjë model nga shtetet e tjera për mënyrën e organizimit të këtyre provimeve?

Hysen Bytyqi: Modele ka të mjaftueshme, por duhet të adaptojmë ato në kushtet tona. Mendoj që njëra sfidë që paraqitet në këtë drejtim, e vetme do të jetë, që grupet do të jenë shumë të vogla të cilat i nënshtrohen provimit. Gjithsesi njësitë akademike e njohin më mirë këtë pjesë. Cilësia do të jetë prioritet. Ne kemi vendosur në njërën nga qarkoret që i kemi dërguar dekanëve që afati të përfundojë më 20 korrik të këtij viti. Por, besoj që brenda këtij afati do të menaxhojmë situatën. Natyrisht, që do të jetë më sfiduese, por jo e pa menaxhueshme. 

Radio Kosova: Në Universitetin e Prishtinës filloi edhe procesi i akreditimit institucional e më pas i programeve të studimit. Prezantimi i parë ishte online, si po shkon ky proces?

Hysen Bytyqi: Më herët ne kemi dorëzuar raportin e vetëvlerësimit, proces që UP-ja e paraqet bazuar në standardet e kërkuara. Raporti është dorëzuar me përgatitje dhe atë se çfarë është arritur, duke shfaqur edhe anët e tjera negative, të cilat gjatë procesit duhet t’i përmirësojmë. Cilësia është një proces në progres, që gjithmonë duhet të shkohet karshi zhvillimeve të tjera botërore. Bazuar në agjendën e cila është dhënë nga Agjencia, ne jemi duke kaluar nëpër gjithë procesin, grupe të ndryshme, duke filluar nga aspekte të ndryshme menaxheriale të menaxhmentit qendror, të njësive akademike, sferat dhe sfidat që kanë profesorët, stafi administrativ, studentët. Pastaj, ekspertët do të përpilojnë raportin e tyre me të gjeturat në UP. Natyrisht, ne jemi të vetëdijshëm që aty do të ketë një seri rekomandimesh, të cilat i mirëpresim për ta përmirësuar procesin brenda për brenda me të gjithë komponentët që e përcaktojnë një institucion të arsimit të lartë. Diku në qershor, Agjencia për Akreditim dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë do të kenë një mbledhje, ku do të vendosin për akreditimin institucional fillimisht. Jam i sigurt se këtë do ta kalojmë. Më pas, UP-ja ka një proces të ri-akreditimi dhe akreditimit të 101 programeve studimore. Ne mendojmë që me të gjitha të akreditohemi dhe të shpallim konkursin për pranimin e studentëve të rinj, fillimisht në nivelin bachellor e sigurisht në shtator për nivelet master e të doktoratës. Urojmë që të mos kemi vonesa si pasojë e pandemisë, në mënyrë që më 1 tetor të fillojë procesi mësimor.

Radio Kosova: A pritet që të shpallet në muajin korrik konkursi për pranimin e studentëve të rinj, në rast se do të ketë shtyrje të afateve të tjera, siç mund të jetë matura shtetërore?

Hysen Bytyqi: Ne duhet të presim, ku dy pika janë të rëndësishme për neve: e para është sepse bazuar në Ligjin për arsimin e lartë, është Ministria e Arsimit që aprovon numrin e studentëve, që vjen si kërkesë nga njësitë akademike. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë tani për tani, pasi jemi në pritje të akreditimit të 101 programeve studimore dhe nuk mund të shpallet konkursi pa përfunduar ai proces. Pjesa e dytë që lidhet me ministrinë, është edhe provimi i maturës shtetërore. Në formulën prej tri pjesëve, ne nxjerrim pikët edhe nga matura. Ne do të përshtatim planifikimet tona bazuar në rrethanat që do të krijohen nga faktorët jashtë UP-së.

Radio Kosova: Para se të fillojë pandemia në Kosovë, Universiteti i Prishtinës filloi procesin zgjedhor, i cili nisi me zgjedhjet në Parlamentin e Studentëve e më pas për të vazhduar deri te zgjedhja e menaxhmentit të ri të këtij universiteti. Më pas ky proces u ndërpre për shkak të situatës aktuale në vend. A është menduar se kur pritet të rifillojë ky proces?

Hysen Bytyqi: Pandemia ka ngadalësuar disa procese, të cilat s’kanë mundur të lëvizin përpara. Zgjedhjet janë planifikuar që të realizohen këtë vit në tri nivele: Për parlament të studentëve, të njësive akademike si dhe për rektor të UP-së. Vendime të tilla për të gjitha proceset, përmes dokumentacionit që nxjerr rregulloren për zgjedhjet e realizon Këshilli Drejtues i UP-së. Por, ndodhi pandemia dhe i gjithë procesi u shty. Në planifikimin e parë, zgjedhjet tashmë do të ishin para përfundimit dhe tani do të ishin ditët kur do të duhej të zgjidhej rektori. Por, jemi në këtë situatë. Mendoj që nuk jemi vonë dhe gjithsesi në kohë ligjore ky proces do të menaxhohet. Me aq sa unë jam në dijeni, në fund të këtij muaji planifikohet që KD përsëri të mblidhet dhe të marrë vendimin për afatet e reja, që do të jenë përcaktuese për zgjedhjet në të tri nivelet, duke filluar nga zgjedhjet e studentëve, më pas të njësive akademike, këshillave dhe dekanëve dhe pastaj konkursi publik që hapet për rektor të UP-së. 

Sa i përket zgjedhjes së studentëve, kam informacion nga sekretari i përgjithshëm i UP-së, që UP ka arritur të krijojë një program përmes të cilit studentët do të kenë mundësi të votojnë online. Duke marrë në konsideratë të gjitha elementet e saktësisë dhe etikës së votimeve, është paraparë që procesi të ecë mbarë. Javën që vjen, para Parlamentit Studentor dhe organizatave studentore do të prezantohet ky program dhe nëse dakordohen dhe programi siguron një saktësi dhe cilësi të votimit, atëherë KD do të marrë një vendim të tillë. Votimi online është një përgatitje që UP e ka bërë për nivelin e studentëve. Mund të ndodhë që edhe në nivelin e njësive akademike, për shembull shprehja e interesit për anëtarët që duan të jenë pjesë e Këshillit të Fakultetit, mund të nisë, por sa i përket njësive akademike procesi ende nuk është definuar. Në mbledhjen e KD-së në fund të këtij muaji, çdo gjë do të sqarohet dhe do të procedojmë. 

Menaxhmenti i UP-së ka ende mandat. Ky menaxhment duhet të përcjellë deri në ditët e fundit, pra më 1 tetor të këtij viti vjen menaxhmenti i ri. Natyrisht, se jemi të ngarkuar, por janë punë që duhet të menaxhohen. Kjo kohë që na ka mbetur në dispozicion do të ketë shumë procese para nesh. Janë disa procese që domosdo duhet të realizohen, përveç nëse vjen ndonjë vendim tjetër që kërkon që një gjë e tillë të mos realizohet për shkak të situatës së pandemisë, por urojmë që kjo të mos ndodhë. 

 

Intervistoi: Albana Karaj

 


MË SHUME NGA Intervista