Zgjatet qëndrimi me 90 ditë për shtetasit shqiptarë në Rumani
"Shtetasve shqiptarë, të cilët kanë qenë të detyruar të qëndrojnë në territorin e Rumanisë, për shkak të kufizimeve, përtej periudhës së lejuar prej 90 ditësh, iu zgjatet qëndrimi i tyre me 90 ditë nga data e përfundimit të Gjendjes së Jashtëzakonshme (14 maj 2020)”.
Ambasada e Shqipërisë në Rumani, me anë të një njoftimi për shtyp për shtetasit shqiptarë thekson se, “Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë njofton se shtetasve shqiptarë, të cilët kanë qenë të detyruar të qëndrojnë në territorin e Rumanisë, për shkak të kufizimeve, përtej periudhës së lejuar prej 90 ditësh, iu zgjatet qëndrimi i tyre me 90 ditë nga data e përfundimit të Gjendjes së Jashtëzakonshme (14 maj 2020). Këta shtetas nuk do të penalizohen dhe nuk do t’ju llogaritet periudha shtesë e qëndrimit, nëse largohen nga territori i Rumanisë brenda 90 ditësh nga përfundimi i Gjendjes së Jashtëzakonshme”
Gjithashtu, në njoftim thuhet se, “vlefshmëria e vizave për shtetasit që ndodhen në Rumani gjatë kësaj periudhe, zgjatet me 90 ditë pas përfundimit të Gjendjes së Jashtëzakonshme (14 maj 2020)”.
“Vlefshmëria e vizave të lëshuara nga Ambasadat e Rumanisë, por që nuk janë përdorur për shkak të kufizimeve të udhëtimeve, nuk do të zgjatet. Shtetasit duhet të aplikojnë për një vizë të re”, thuhet në njoftim.
“Vlefshmëria e dokumenteve të lëshuara nga Inspektoriati i Përgjithshëm i Migracionit, të cilat mund të kenë përfunduar gjatë kësaj periudhe, zgjatet për një periudhë 90 ditore pas përfundimit të Gjendjes së Jashtëzakonshme (14 maj 2020)”, përfundon njoftimi.























