Ruqi: Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi rezultuan të efektshme

Ruqi: Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi rezultuan të efektshme

"Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi për parandalimin e përhapjes së COVID-19 rezultuan të efektshme dhe pasojat në humbjen e jetëve njerëzore minimale”, shprehet kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në një letër urimi dërguar kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajović, me rastin e Ditës së Pavarësisë.

“Me rastin e  21 majit, Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi, Ju dërgoj urimet e mia më të ngrohta. Shpallja e pavarësisë së Malit të Zi ishte një arritje e madhe popullit malazes drejt mirëqenies dhe të ardhmes së tij, konsolidimit të institucioneve demokratike dhe avancimit të rolit e kontributit për zhvillimin, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, është shprehur Ruçi.

“Muajt e fundit të dy vendet tona janë përballur me rrezikun dhe pasojat e pandemisë së COVID-19. Kuvendi i Shqipërisë dhe unë personalisht kemi ndjekur përpjekjet e mjekëve dhe sistemit shëndetësor të Malit të Zi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit si edhe masat e Qeverisë për të rimëkëmbur ekonominë e dëmtuar nga pandemia. Për fat të mirë, në të dy vendet tona masat rezultuan të efektshme dhe pasojat në humbjen e jetëve njerëzore minimale. Unë jam i bindur se vendet tona, Europa dhe gjithë njerëzimi do të çlirohen së shpejti nga pasojat e pandemisë dhe do t’u kthehen gëzimeve të jetës”, ka theksuar Ruçi.

“Shpreh gjithashtu bindjen se bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Malit të Zi do të rifillojë dhe kam kënaqësinë t’Ju ftoj për një vizitë në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Ju”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në letrën e urimit që i ka dërguar Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajović, me rastin e Ditës së Pavarësisë. /atsh