Kuvendi i Shqipërisë miraton 3 projektrezoluta
Sharr Travel

Kuvendi i Shqipërisë miraton 3 projektrezoluta

Kuvendi, në drejtimin e Kryetarit, Gramoz Ruçi, u mblodh sot në seancë plenare.

Seanca plenare, e mbajtur edhe këtë herë sipas rregullave të posaçme për shkak të pandemisë së Covid 19, miratoi tri projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së tre institucioneve të pavarura në vend, si edhe miratoi dy projektligje.

Projektligjet që u miratuan në seancën e e sotme ishin: “Për një shtesë në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”” dhe “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”’.

Projektrezolutat e miratuara vlerësonin veprimtarinë përgjatë vitit 2019 të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Entit Rregullator të Ujit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke u paraqitur vërejtje dhe rekomandime lidhur me raportimet vjetore në Kuvendin e Shqipërisë nga titullarët e këtyre institucioneve.

Në seancë raportuan Besnik Dervishi, komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale; zNdriçim Shani, drejtues i ERRU dhe  Klement Zguri, drejtues i KQZ-së.

Pas prezantimit të raportit vjetor të veprimtarisë përgjatë vitit 2019 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendim të Konferencës së Kryetarëve, u zhvillua edhe një debat parlamentar.

Edmond Stojku, në emër të grupit parlamentar Demokraci dhe Drejtësi, ngriti shqetësimin për ndërhyrjet e shpeshta në Kod Zgjedhor pas viteve nëntëdhjetë, duke numëruar 12 ndërhyrje, të cilat ai i konsideroi të shumta dhe të pasuksesshme. Stojku shprehu optimizmin për momentin e tanishëm të reformës dhe tregoi vullnet në emër të grupit të tij parlamentar, që t’u kthehet vota qytetarëve. Stojku kërkoi gjithashtu përfaqësim të grupit të tij parlamentar, si grupi më i madh opozitar në parlament, në proceset dhe tryezat e reformës zgjedhore.

Nimet Musai, kryetar i grupit parlamentar të Pavarur, bëri kritika për qasjen e opozitës jashtëparlamentare në raport me funksionin e KQZ-së dhe bëri thirrje për departizimin e saj të menjëhershëm.

Deputeti Myslym Murrizi, në emër të grupit parlamentar Demokrat, risolli idenë e listave të hapura dhe përkrahu ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Në përfundim të diskutimeve, që ishin me kohë të reduktuar sipas vendimit të dakordësuar mes palëve në Konferencë të Kryetarëve, në kuadër të protokollit të masave për shkak të pandemisë, projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””, që përfshinte sportistët e dalluar dhe me arritje të spikatura si kategori përfituese e një pensioni të posaçëm u miratua me 91 vota pro, 14 kundër dhe 1 abstenim. Me 88 vota pro, 16 kundër dhe 3 abstenim u miratua projektligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u miratua me 90 vota pro, 14 kundë dhe 14 abstenim. Rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të ERRU përgjatë vitit 2019 u miratua me 88 vota pro, 16 kundër dhe 5 abstenim. Rezoluta e Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të KQZ përgjatë vitit 2019, u miratua me 89 vota pro, 13 kundër dhe 7 abstenim.

Seanca e sotme miratoi edhe dy projektvendime: “Për një shtesë në vendimin nr. 85/2017 “Për zgjedhjen e Byrosë dhe përbërjen e Sekretariateve të Kuvendit” të ndryshuar” dhe “Për një ndryshim në vendimin nr. 86/2017 “Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme parlamentare” të ndryshuar”. /ATSh


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare