Parlamenti në Shqipëri do të marrë çdo vendim për Reformën në Drejtësi

Parlamenti në Shqipëri do të marrë çdo vendim për Reformën në Drejtësi

"Parlamenti nuk ka në axhendë tani që flasim ndonjë iniciativë, por parlamenti patjetër që do të marrë çdo vendim për Reformën në Drejtësi, nëse në proces do të ketë vendime të dakordësuara me partnerët për të çuar para Reformën në Drejtësi”, deklaroi sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “mesazhi i ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim është shprehje gjysmë kritike për momentin, e një shqetësimi shumë serioz që ka marrë një përmasë jo të vogël, si rezultat i përballjes me faktin se partnerëve iu është kërkuar nga Ilir Meta përfshirja e rishikimit të Reformës në Drejtësi në procesin e mëtejshëm”.

“Nuk di më shumë detaje. Unë nuk ka nevojë të di më shumë për këtë, por di që gjithë kjo përpjekje për të ndërtuar çadrën e dytë, por këtë herë në kështjellën e kulturës që kërcënohej të merrej nga talebanët, ka synuar të njëjtën gjë që kemi parë në 2017 dhe në 2018, krijimin e një çarjeje të madhe nga pikëpamja politike, vënien në diskutim të procesit zgjedhor dhe kthimin mbrapsht të Reformës në Drejtësi. Të gjitha të lidhura bashkë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “partnerët janë të qartë dhe të shqetësuar”. “Gjëja që nuk kuptova çfarë ishte, kishte të bënte me reagimin e Lulit, sepse nuk ka parlamenti asnjë gjë në axhendë lidhur me Reformën në Drejtësi. Ky parlament nuk urdhërohet nga Lulzim Basha, nuk merr ultimatum nga Lulzim Basha, i cili është qytetar si gjithë të tjerët dhe nuk ka tagër t’i thotë gjë parlamentit sovran dhe legjitim. Parlamenti do të marrë çdo vendim për Reformën në Drejtësi që do të jetë gjithmonë e konsultuar, dakordësuar me SHBA dhe BE. Tundimi i vazhdueshëm për t’i hapur luftë Reformës në Drejtësi herë duke u hedhur kundër SHBA-së, herë duke u hedhur Europës, herë duke u hedhur si Vojo Kushi mbi çatitë e ambasadave i kemi parë, por nuk do të japin rezultat, thjesht do të turbullojnë mendjen e njerëzve”, tha Rama. /ATSh