FFK del me sqarim për "Rastin Ahmeti"

FFK del me sqarim për "Rastin Ahmeti"

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu nëpërmjet një komunikate e ka sqaruar rastin e Arianit Ahmetit, për të cilin dje Inspektorati i Punës vendosi se kishte gjetur shkelje në procedurën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës. 

Salihu ka thënë se Inspektorati i Punës në asnjë rast nuk ka evidentuar që nuk ka bazë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për Ahmetin.


Më poshtë sqarimi i plotë i FFK-së:

Ndaj z. Arianit Ahmeti organet e brendshme të FFK-së kanë marrë Vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës.

Së fundi, ne, kemi pranuar një vendim nga Inspektorati i Punës, ku kërkon nga FFK që të rishqyrtojë edhe njëherë procedurën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës së z. Ahmeti. Pra, ka kërkuar vetëm të rishqyrtohet procedura, në asnjë rast Inspektorati nuk ka evidentuar që nuk ka bazë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Organet e brendshme të FFK-së, konform dispozitave të Ligjit të Punës, akteve të brendshme dhe vendimit të Inspektoratit të Punës, do të ndërmarrin veprimet ligjore në afatin e paraparë dhe do të informojnë Inspektoratin dhe palët në këtë procedurë.

Eroll Salihu, Sekretar i Përgjithshëm i FFK-së