Rektorët e universiteteve publike ankohen për mungesë të financave
Akreditimi dhe mësimi online ishte temë diskutimi ndërmjet rektorëve te universiteteve publike dhe Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, raporton Ekonomia Online.
Por gjatë këtij takimi rektorë të universiteteve publike në vend kanë folur për vështirësitë, cilësinë e arsimit, përgatitjet për akreditimin e programeve dhe akreditimin institucional. Rektorët jan ankuar për mosmiratimin e statuteve të këtyre universiteteve dhe vështirësitë financiare, që çojnë edhe në mungesë të stafit.
Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha me këtë rast se për ndërtimin e një shteti funksional, arsimi është shtylla kryesore.
“Edukimi është pasuria më e vlefshme e një shteti stabil. Nëse duam të ndërtojmë një shtet funksional, natyrisht se arsimi është shtylla kryesore. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka aktualisht 42 mijë studentë, 900 pjesëtarë të stafit akademik dhe 300 jo akademik. Në kuadër të UP-së janë 14 fakultetete në këto nivele studimi bachellor, master dhe doktoraturë”, ka thënë Dema.
Dema tha se kanë ndërtuar shumë mekanizma për rritjen e cilësisë në arsimin universitar.
“Cilësia është një koncept që është preokupim i të gjithëve në botë. Ne merremi me cilësinë e mësimdhënies, prandaj kemi ndërtuar shumë mekanizma që ta monitorojmë këtë cilësi sepse jemi të interesuar që ta ngrisim këtë çështje. Ka shumë punë për të bërë sepse edhe pritjet janë shumë të mëdha”, tha ai.
Ndër sfidat kryesore të UP-së Dema përmendi ndërhyrjet politike.
Bajram Kosumi rektor i Universitetit “Kadri Zeka”, në Gjilan, tha se ekziston një bashkëpunim i mirë ndërmjet Universiteteve dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Akreditimit.
Mirëpo sipas tij largimi nga ENQA nuk ka qenë goditje vetëm për Agjencinë por për të gjitha universitetet.
Kurse, Fadil Millaku nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejës, ka thënë se që 3 vite universitetet më të mëdha pas UP-së, nuk kanë pasur akreditim, për shkak se manuali nuk u ka shkuar me kohë. Ai ka thënë se nëse duan cilësi në arsim duhet ta rrisin buxhetin.
Ndërsa, rektori i Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musa ka folur për nevojën e një statuti të përhershëm për universitetet, raporton EO.
Për t’u akredituar nga Këshilli i Akreditimit pret edhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Ndër sfidat e tyre që u përmendën, ishin financat dhe mungesa e stafit.























