Meta: Qëllimi i platformës, zbatimi i Kushtetutës dhe 15 kushteve të BE
Sharr Travel

Meta: Qëllimi i platformës, zbatimi i Kushtetutës dhe 15 kushteve të BE

Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për një media, ka shpjeguar platformën e propozuar klasës politike dhe diplomatëve, duke theksuar se qëllimi ishte mbrojtja e Reformës në Drejtësi, zbatimi i Kushtetutës dhe 15 kushteve të BE.

"Me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të gjithë aktorët politikë vendas shfaqën një sjellje të përgjegjshme dhe një frymë të re bashkëpunimi, në shërbim të interesit më të lartë ndaj qytetarëve dhe vendit”, – thekson Meta.

“Me këtë frymë, unë organizova dy mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme, mbizotëroi ndjenja e përgjegjshmërisë. Më 23 mars 2020, gjatë një takimi pune me Ambasadoren e SHBA diskutuam se si mund të ndërtojmë më tej mbi këtë frymë, veçanërisht në kontekstin e nisjes sa më parë të negociatave të anëtarësimit me BE, kur në qershor pritej prezantimi i kuadrit negociator për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe raportet e progresit për secilin vend”, – vijoi Meta.

“Ramë dakord se zbatimi i prioriteteve kyçe, sipas përgjegjësive të secilit aktor dhe në një frymë bashkëpunimi janë e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Gjatë këtij takimi i premtova Ambasadores se do t’i nisja shumë shpejt një projektplatformë, që do të mund të shërbente si pikënisje për një dialog të strukturuar dhe hap pas hapi deri në një dokument të konsoliduar të dakordësuar të të gjitha palëve, me angazhime konkrete dhe të matshme për çdo aktor institucional. Në datën 8 prill, kjo projektplatformë iu përcoll Ambasadores, siç kishim rënë dakord”, – tha Meta.

“Kushdo që e lexon këtë projektplatformë mund ta shohë qartë që ka vetëm tri referenca bazë: 15 kushtet e Bashkimit Europian, zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, dhe orientimin sipas rekomandimeve që jep Projektopinioni i Komisionit të Venecias i datës 6 mars 2020, i kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë”, – vijon Meta.

“As BE, as Kushtetuta dhe as Komisioni i Venecias nuk e cenojnë Reformën në Drejtësi, përkundrazi nxisin, inkurajojnë dhe kërkojnë zbatimin më rigoroz të saj. Ashtu siç rekomandojnë dhe BE dhe Komisioni i Venecias për të disatën herë, ashtu siç e përmban fryma e Kushtetutës, dhe ashtu siç e kam përsëritur pa u lodhur dhe unë, zbatimi kushtetues i Reformës në Drejtësi duhet të ruajë frymën e konsensusit për të shmangur kapjen nga forca politike në pushtet”, – shtoi Presidenti.

“Të gjithë e dimë se aktualisht i vetmi dialog gjithëpërfshirës po zhvillohet në kuadër të Këshillit Politik për reformën zgjedhore, të ngritur me mbështetjen edhe të BE. Një nga propozimet e projektplatformës ishte që çdo nismë apo kërkesë për ndryshime ligjore që mund të konsiderohen të nevojshme nga palët, sikundër kanë propozuar disa eksponentë të mazhorancës, të diskutohej në këtë model formati gjithëpërfshirës, përpara se të miratohej në Parlamentin njëpartiak. Pra, në thelb do të mund të sigurohej moscenimi i Reformës në Drejtësi”, – tha Meta.

“Kjo platformë është në shërbim dhe dobi të plotësimit të 15 kushteve të BE. Përderisa kushtet e integrimit europian janë në fuqi, dhe koha po rrjedh, padyshim që është edhe më e vlefshme, e domosdoshme, e menjëhershme dhe aktuale. Fatkeqësisht duket se interesi, sidomos nga ana e Kryeministrit, në përmbushjen e kushteve të integrimit nuk është ai që duhet të ishte, pasi çdo kusht i përmbushur kërkon që Kryeministri të bëjë hapa mbrapa nga territoret që ka pushtuar në drejtësi, media, dhe drejtime të tjera”, – vijoi Meta.

“I vendosur dhe i përkushtuar si më 22 korrik 2016, kur si Kryetar i Parlamentit arrita konsensusin e vetëm dhe historik të miratuar me 140 vota. Vetëm kjo arritje i mundësoi Shqipërisë marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave me BE, pa kushte, në tetor të vitit 2016. Vetëm zbatimi i saj në këtë frymë do garantojë çeljen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Për Reformën në Drejtësi do të bëj gjithmonë atë që predikoj, dhe do të predikoj vetëm atë që bëj: Respektimin e Kushtetutës”, – përfundoi intervistën e tij, Presidenti Meta. /r.e/