Bashkia e Durrësit gjobit subjektet e personat që vënë çadra pa leje

Bashkia e Durrësit gjobit subjektet e personat që vënë çadra pa leje

Policia bashkiake e Durrësit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njofton se kanë zhvilluar në zonën e Shkëmbit të Kavajës një aksion për lirimin e plazhit nga çadrat dhe shezlongët e vendosur pa leje dhe në kundërshtim me aktet normative për situatën e krijuar nga Covid -19.

Gjatë këtij aksioni janë gjobitur personat që i zotëronin ato dhe i kishin zaptuar hapësirën e rërës. Policia bashkiake ushtron kontrolle të vazhdueshme për të parandaluar zënien e hapësirave të plazhit nga persona apo subjekte që nuk janë të pajisur me leje

Bashkia e Durrësit u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitet gjatë vijës bregdetare të Bashkisë së Durrësit të mos ndërmarrin nisma të tilla që bien ndesh me ligjin dhe të mos vendosin çadra apo shezlongë në rërë pa marrë lejen nga autoritetet përkatëse.

Lejet do të jepen në bazë të VKM-së dhe udhëzimeve përkatëse që do të vijnë nga qeveria shqiptare. Për ata që nuk zbatojnë ligjet dhe aktet normative, do te ketë masa administrative, bllokim të çadrave dhe shezlongëve, deri dhe ndjekje penale, thuhet në njoftim.

Më herët, kryeministri Rama ka pohuar se këtë vit do të lejohen vetëm hotelet që të vendosin një numër të kufizuar çadrash vetëm për pushuesit e tyre, ndërsa të gjitha plazhet e tjera do të jenë publike, si një masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.