Vendimi i Gjykatës Kushtetesuese në syrin e mediave të huaja
Sharr Travel

Vendimi i Gjykatës Kushtetesuese në syrin e mediave të huaja

Vendimi i mbrëmshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, ku i jep të drejtë Presidentit Hashim Thaçi për nominimin e Avdullah Hotit për Kryeministër, ka zë vend edhe në mediat ndërkombëtare.

Ky verdikt final si dhe performanca e aktivistëve të Vetëvendosjes, është bërë lajm i mediave të huaja si Reuters, The New York Times, France 24.

Sipas Reuters, Gjykata Kushtetuese tashmë ka qartësuar rrugën për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Më tej theksohet edhe kundërshtia e partisë së udhëhequr nga Kryeministri në largim i vendit Albin Kurti, duke paralajmëruar për protesta.

Ngjashëm shkruan edhe The New York Times, ndërsa potencon se organi më i lartë shtetëror, ka vlerësuar përfundimisht që Qeveria e re mund të formohet pa zgjedhje të reja, dhe se dekreti i Presidentit Hashim Thaçi për mandatarin, është në përputhje me Kushtetutën.

Prestigjozja amerikane duke iu referuar Reuters, gjithashtu përmend edhe historikun e rrëzimit të Qeverisë Kurti, duke thënë se mosmarrëveshjet me LDK-në, partnerin e saj kryesor bashkëqeverisës për çështjet e pandemisë dhe çështjen e heqjes së tarifës ndaj mallrave serbe, çuan deri në prishjen e koalicionit, njofton Klan Kosova.

Mediumi me bazë në Paris, France 24, shkruan se Gjykata Kushtetuese vendosi vonë të enjten se Qeveria e re mund të formohet pa mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.


MË SHUME NGA Aktuale