Bucci: Me rëndësi konsensusi për Reformën Zgjedhore deri më 31 maj
BKT
Shqipëri

Bucci: Me rëndësi konsensusi për Reformën Zgjedhore deri më 31 maj

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, e cilësoi sot Reformën Zgjedhore, mjaft të rëndësishme e cila sipas tij, duhet të ketë konsensusin e të gjitha palëve.

Gjatë një vizite në qytetin e Vlorës, ku u takua me kryebashkiakun Dritan Leli dhe mori pjesë në një aktivitet për turizmin, ambasadori i Italisë, iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve të këtij qyteti, për zhvillimet më të fundit, mes të cilave edhe për Reformën Zgjedhore, çështjen e Teatrit Kombëtar, investimet në turizëm, në sektorin e kulturës etj.

“Reforma Zgjedhore është një reformë shumë e rëndësishme, të cilën po e ndjekim nga afër. Reforma të tilla duhet të kenë konsensusin e të gjitha palëve”, theksoi mes të tjerash, ambasadori Bucci. Ai nënvizoi se, bisedimet e djeshme kanë ecur mirë dhe po bëhet progres, ndërkohë që ato do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me shpresën se, brenda datës së përcaktuar, 31 majit, të jetë arritur një konsensus i plotë, për të konkretizuar Reformën Zgjedhore.

“Reforma stabilizon modulin dhe kriteret për zhvillimin e zgjedhjeve dhe për këtë është mjaft e rëndësishme të gjendet formula e përshtatshme”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ambasadori i Italisë në Tiranë, u ndal edhe tek çështja e shembjes së Teatrit, duke nënvizuar se, debati për teatrin është një debat që ka vite që po zhvillohet dhe që është politizuar shumë kohët e fundit, duke u kthyer në një luftë mes opozitës dhe mazhorancës dhe kur ka debate të tilla, kaq shumë politikë, nuk ndihmohet në zgjidhjen e çështjes dhe në arritjen e një dialogu të rëndësishëm dhe të thelluar për një çështje kaq të rëndësishme siç është trashëgimia kulturore shqiptare.

“Qeveria shqiptare, bashkia e Tiranës, vendosën ta shembin dhe të ndërtojnë një teatër të ri dhe mendoj se, nuk është çështje e një shteti tjetër të vendosë mbi atë çka duhet të ruhet apo jo, në një vend tjetër”, citoi Bucci.

“Ajo që ne, mund të bëjmë, është të stimulojmë dialogun, të investojmë në trashëgiminë kulturore, të investojmë në ato programe bashkëpunimi në fushën e artit dhe kulturës, duke nxitur debatin dhe duke gjetur instrumentet e nevojshme, sepse ajo që është e rëndësishme është që, vendimet të merren pasi ato të jenë konsultuar gjerësisht”, vijoi më tej ai.

Sipas ambasadorit Bucci, Italia është një superfuqi sa i përket kulturës, për arsyen se disponon pjesën më të madhe të objekteve të trashëgimisë, të mbrojtura nga UNESCO. Pikërisht, për këtë arsye, sipas tij, Italia është në mbrojtje të trashëgimisë, qoftë ajo kulturore, historike, arkeologjike.

“Ne jemi prezentë në Shqipëri me shumë misione arkeologjike në Butrint, në Bylis, kemi fakultetet italiane të cilat punojnë me ato shqiptare në projekte të ndryshme dhe të përbashkëta kulturore. Kemi gjithashtu, shumë projekte që lidhen me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore në Shqipëri. Në Tiranë, për shembull, vitin e kaluar, u restaurua selia e Bankës Qendrore nga një arkitekt italian, ndërkohë që u rikonstruktua edhe një kinema e vjetër”.

Gjatë bashkëbisedimit me kryetarin e bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ambasadori i Italisë në Tiranë, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme në këtë bashki edhe në të ardhmen, duke përfshirë fushën e kulturës, turizmit etj, ndërkohë që shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen që dha Shqipëria për Italinë, duke dërguar misionet me mjekë dhe infermierë, të cilët ai i cilësoi heronj.

Ai theksoi se, emigracioni shqiptar në Itali, me një numër prej më shumë se 700 mijë qytetarësh, 30 mijë sipërmarrjet me drejtues shqiptarë në vendin e tij, bashkëpunimi tregtar mes dy vendeve, me një bilanc mjaft të mirë prej më shumë se 2.5 miliardë euro vetëm për vitin 2019, përbëjnë faktorë mjaft domethënës në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Italia, mban vendin e parë për investime në Shqipëri”, nënvizoi Bucci.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Dritan Leli, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mes Vlorës e Italisë, duke theksuar se, ky bashkëpunim i ka rrënjët në histori.

“Ne, me shtetin fqinj, na bashkon një histori e gjatë, ku kemi krijuar dhe ndarë vlera të ndërsjellta, të cilat kanë spikatur në momente të rëndësishme të rrugëtimit tone”, theksoi Leli.

“Vetëm pak muaj më parë, ne ju gjendëm pranë popullit italian në përpjekjet e tij për të kapërcyer vështirësitë e krijuara nga pandemia e COVID-19, ndërkohë që, Italia mike, është shfaqur në krahun dhe mbështetjen tonë, në rrugën e integrimit europian”, shtoi më tej ai.

Sipas kryebashkiakut vlonjat, prezenca e Italisë në Vlorë, është e dukshme dhe po ashtu, e tillë do të vijojë të jetë edhe në të ardhmen, falë projekteve të përbashkëta, të cilat do të intensifikohen edhe më tej.

Leli e vuri theksin tek nevoja e shtrirjes së gjuhës italiane në të gjitha nivelet e arsimit në Vlorë. “Mësimi i gjuhës italiane në Universitetin “Ismail Qemali”, është një segment mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi, që duhet të shtrihet dhe të zgjerohet më tej, me përfshirjen e kësaj gjuhe edhe në nivelet e arsimit parauniversitar, deri në atë fillor, duke rikthyer dhe formalizuar një traditë në mësimin e italishtes, dikur të përvetësuar në mënyrë autodidakte përmes televizioneve të vendit fqinj”, theksoi ai.

Ai shtoi se, krahas kësaj, projekte të tjera në fushën e kulturës, të ekonomisë, infrastrukturës, do t’i japin dimensione të tjera bashkëpunimit tonë, që, aktualisht është në një nivel shumë të lartë, falë edhe punës së bërë nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë dhe konsullja Luana Mikeli.

“Vlora dhe italia, janë pranë dhe do të jenë më pranë edhe në të ardhmen”, shtoi kryebashkiaku vlonjat. /atsh


MË SHUME NGA Shqipëri