Suksesi i Reformës në Drejtësi/ SHBA: Mbështetje gjyqtarëve të rinj
BKT
Shqipëri

Suksesi i Reformës në Drejtësi/ SHBA: Mbështetje gjyqtarëve të rinj

"Reformat e suksesshme në drejtësi mbështeten te gjyqtarët e rinj që kanë marrë trajnimin e duhur dhe janë të pajisur me mjetet e duhura për të bërë punën e tyre”, theksoi sot ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kjo është arsyeja pse USAID-i bashkëpunoi me Shkollën e Magjistraturës për të ngritur një sallë moderne të gjyqit imitues, ku mund të realizohen trajnime praktike dhe të bazuara në përvojën e drejtpërdrejtë të kandidatëve për gjyqtarë”, shtoi ambasada.

“Një sallë gjykimi e jashtëzakonshme dhe një menaxhim i mirë i procesit gjyqësor përbëjnë kompentencat thelbësore të një gjyqtari që e bën si duhet punën e tij”, vijoi ambasada.

“Përmirësimi i cilësisë së edukimit gjyqësor është thelbësor për promovimin e shtetit të së drejtës. Shkolla e Magjistraturës është në proces të rishikimit të kurrikulave të saj për të bërë të mundur që studentët, përveç aftësive teorike, të fitojnë edhe aftësi praktike. Mundësitë që studentët magjistratë të vënë në zbatim praktik leksionet që marrin ilustrohet më së miri me sallën e re të gjyqit imitues, të financuar nga USAID dhe të zbatuar nga projekti “Drejtësi për të gjithë”, thuhet në videon e shpërndarë nga ambasada.

“Tashmë, me këtë sallë moderne të gjyqit imitues, shkolla ka një burim të rëndësishëm për t’u ofruar studentëve, aktivitete tejet me vlerë të të nxënit përmes përvojës, të cilat janë të nevojshme për të zotëruar teknika gjyqësore. Studentët magjistratë kanë tashmë mundësinë të zhyten në situata të botës reale në një sallë gjyqi, për të zhvilluar disa aftësi kritike të menaxhimit të gjykimit dhe sallës së gjyqit”, shton ambasada.

“Në thelb të parimeve të formimit gjyqësor është përçimi i teknikave profesionale. Kjo është çështje të nxënit: Si të bësh pyetjet? Si të punosh me hetuesit? Si të drejtosh seancën gjyqësore? Si ti trajtosh palët në mënyrë të barabartë? Si të hartosh një vendim rigoroz, të saktë, por të kuptueshëm? Të gjitha këto janë praktika që kërkojnë trajnim të një natyre praktike që mund të realizohen përmes sallës së re të Gjyqit imitues. Salla e re e gjyqit imitues është e pajisur me një sistem të përparuar regjistrimi video dhe audio të financuar nga USAID, i cili lejon regjistrimin fjalë për fjalë të procesit të gjykimit. Studentët magjistartë do të trajnohen mbi përdorimin e sistemit, si të aksesojnë regjistrimet dhe si të mbështeten në to për arsyetimin e vendimeve të tyre”, theksohet në video.

“Puna e deritanishme ka qenë e admirueshme, por prapë mbeten shumë gjëra për t’u bërë, për të garantuar që studentët magjistratë të mësojnë aftësitë dhe zotësitë praktike thelbësore në dhënien e aksesit në drejtësi dhe për veprimtaritë efikase në sallën e gjyqit. Investimi i USAID-it në këtë sallë të re do t’i vijë në ndihmë shkollës për arritjen e përpjekjeve të saj dhe në përfundim në përmbushjen e zotimit të tyre të vazhdueshëm në ekselencën gjyqësore dhe në drejtësi për të gjithë”, përfundon ambasada. /atsh


MË SHUME NGA Shqipëri