Pas Dacit një tjetër gjyqtare kallëzohet në SPAK, akuzat që rëndojnë mbi të
Sharr Travel

Pas Dacit një tjetër gjyqtare kallëzohet në SPAK, akuzat që rëndojnë mbi të

Pas Luan Dacit, një tjetër anëtare e institucioneve të vetingut është kallëzuar në Prokurorinë Speciale Antikorrupsion (SPAK).

Është anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Alma Faskaj, që është kallëzuar për falsifikim të dokumenteve nga gjyqtarja e Apelit në Shkodër, Hajrie Muçmata. Në padinë e depozituar në SPAK, Muçmata kërkon pezullimin e Faskos nga detyra e anëtares së KPK-së, pasi kjo e fundit ka fshehur një shkarkim nga detyra në vitin 1996.

Në padi thuhet se Faskaj është shkarkuar nga detyra më 26 gusht të vitit 1996 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë si gjyqtare në Gjykatën e Lushnjës.

Në akuzën e ngritur, Muçmata citon ligjin e vitit 2016 për përzgjedhjen e trupës së vetingut, sipas të cilit do duhet të përzgjidhen ata persona, ndaj të cilëve nuk është marrë më herët asnjë masë disiplinore largimi nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore që është ende në fuqi. Gjyqtarja Muçmata pretendon në padi se Alma Faskaj ia ka fshehur Kuvendit faktin se është shkarkuar për paaftësi në vitin 1996, duke “cenuar rëndë dinjitetin e institucionit kushtetues të KPKsë”.

Teksa e akuzon për falsifikim dokumentesh, Muçmata kërkon pezullimin nga detyra të anëtares së KPKsë. Ndërkohë, vlen të theksohet se vetë Muçmata nuk arriti ta kalonte procesin e vetingut, pasi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ku dhe është anëtare Faskaj. Muçmata nuk e kaloi testin e vetingut, pasi sipas KPK-së çedoi në kriterin pasuror, duke mos e justifikuar të gjithë pasurinë e akumuluar. Kjo është padia e dytë që shkon në SPAK për një anëtar të organeve të vetingut.

Aktualisht është pezulluar nga detyra anëtari i Komisionit të Pavarur të Apelimit, Luan Daci, i vënë nën akuzë për të njëjtat arsye nga SPAK. Më herët, pas rastit të Luan Dacit, gazeta “Panorama” kishte paralajmëruar se do të kishte të tjerë komisionerë të KPA dhe KPK që do të kallëzoheshin në SPAK dhe rrezikonin pezullimin nga detyra e tyre.

Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës për Faskajn. Nëse do të pezullohet, do ta ulte akoma dhe më shumë numrin e trupës së anëtarëve të vetingut.