Haradinaj-Stublla: Do të angazhohem në rindërtimin e urave të miqësisë
Sharr Travel

Haradinaj-Stublla: Do të angazhohem në rindërtimin e urave të miqësisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla thotë se është nder i jashtëzakonshëm për të shërbyer në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesit shtetëror, sovranitetit territorial, rendit kushtetues dhe vlerave të Republikës së Kosovës.

Haradinaj-Stublla premton që do të angazhohet pa ndalë në rindërtimin e urave të miqësive të Kosovës me botën, forcimin dhe ruajtjen e lidhjeve të forta e historike me SHBA-të, fuqizimin e partneriteteve strategjike me të gjitha shtetet mike dhe rivendosjen e hallkave të shkëputura në marrëdhëniet e Kosovës me vendet e tjera të botës.

Postimi i plotë:

Prej sot po e nisim një rrugëtim të ri në Institucionet e Republikës së Kosovës, në detyrën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.

Më shumë se një besim i shenjtë, është nder i jashtëzakonshëm për të shërbyer në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesit shtetëror, sovranitetit territorial, rendit kushtetues dhe vlerave të Republikës së Kosovës.

Do të angazhohemi pa ndalë në rindërtimin e urave të miqësive të Kosovës me botën, forcimin dhe ruajtjen e lidhjeve të forta e historike me SHBA-të,

fuqizimin e partneriteteve strategjike me të gjitha shtetet mike dhe rivendosjen e hallkave të shkëputura në marrëdhëniet e Kosovës me vendet e tjera të botës. Asnjëherë nuk do të pushojmë së ndërtuari aleancën e fortë të Kosovës me bashkëatdhetarët tanë kudo që janë.

Sot, bashkë me kolegët e kabinetit qeveritar nderuam Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, prej ku buron krenaria e vëtëbesimi shtetëror e kombëtar, dhe ku na ringjallet kujtesa e dhimbja jonë shekullore.

Jo rastësisht sot, bëra homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Lybeniq të Pejës, 22 vite pas, prej kur forcat paramilitare serbe masakruan në mënyrë çnjerëzore shqiptarët e pafajshëm. Plagët dhe gjaku i derdhur i Kosovës është ende i freskët, dhe do të jetë gjithmonë udhërrëfyes për rrugën tonë përpara.

Si betim e zotim, do të punoj me devotshmëri e besnikëri në shërbim të Republikës së Kosovës dhe bashkëqytetarëve tanë!