Blogeri milioner i YouTube-it, Jake Paul akuzohet për shkelje kriminale
Sharr Travel

Blogeri milioner i YouTube-it, Jake Paul akuzohet për shkelje kriminale

Blogeri i famshëm i YouTube-it, Jake Paul është akuzuar për shkelje kriminale dhe prishje të rendit gjatë trazirave në një qendër tregtare në Arizona.

23-vjeçari i cili ka fituar milionat nga YouTube, ka mohuar çdo përfshirje në plaçkitje ose vandalizëm në qendrën tregtare në Scottsdale të dielën.

Policia lokale tha se ata kishin marrë qindra këshilla për praninë e tij, shkruan BBC.

 

Të paktën 20 persona janë arrestuar në këtë incident, pjesë e trazirave të përhapura nëpër qytetet e ShBA-së, pas vdekjes së George Floyd.

Që nga dita kur afro-amerikani i paarmatosur vdiq në paraburgimin e policisë në Minneapolis muajin e kaluar, më shumë se 10,000 njerëz janë arrestuar në trazirat e krijuara në ShBA, sipas një raporti të përpiluar nga Associated Press.

Dhuna në qendrën Scottsdale vlerësohej të ketë kushtuar miliona dollarë në dëme dhe vjedhje.

Në një deklaratë të enjten, Departamenti i Policisë Scottsdale tha se, si pjesë e hetimeve të tyre, “u konfirmua se Jake Paul ishte i pranishëm dhe mbeti brenda pasi u shpall një prishje e rendit dhe qetësisë”.

Jake Paul shkroi në Twitter të enjten: “Më sillni akuzat e mia dhe le të rivendosim vëmendjen te George Floyd dhe protesta e quajtur ‘Black Lives Matter’”.

Ylli i YouTube-it, i cili gjithashtu ka 3.7 milion ndjekës në Twitter, kishte lëshuar më herët një deklaratë në rrjetet sociale pasi fotografitë dhe videot ishin publikuar në internet që tregonin se ai po merrte pjesë në protestat e dhunshme.

“As unë dhe askush në grupin tonë nuk u përfshinë në ndonjë grabitje ose vandalizëm”, tha Jake Paul. “Ne kemi filmuar gjithçka që pamë në një përpjekje për të ndarë përvojën tonë dhe për t’i kushtuar më shumë vëmendje zemërimit të ndjerë në çdo lagje ku udhëtuam”, tha ai.

Jake Paul është ndër blogerët më të njohur të kanalit YouTube në botë.

Forbes raportoi se fitimet e tij në vitin 2018 arritën në 21.5 milionë dollarë (18.9 milionë euro), me videot e këngëve të tij rap dhe videot satirike që arritën mbi 3.5 miliardë shikime në kohën prej një viti.