Organizata CNVP shënoi Ditën Botërore të Mjedisit
BKT
Lajme

Organizata CNVP shënoi Ditën Botërore të Mjedisit

Organizata holandeze me mision në Kosovë “Lidhim Vlerat e Natyrës me Njerëzit” (Connecting Natural Values & People) - CNVP, përmes disa aktiviteteve mjedisore të mbajtura në Gjakovë dhe Shtime, e ka shënuar 5 Qershorin - Ditën Botërore të Mjedisit, e cila këtë vit u mbajt nën moton: “Është koha për natyrën”!

Ekspertët për mbrojtje të ambientit nga fondacioni CNVP dhe ata të Ministrisë për Mbrojtjen e Ambientit në Qeverinë e Kosovës, realizuan disa ligjërata praktike mjedisore me anëtarët e shoqatave respektive të Pronarëve të Pyjeve Private të Kosovës (ShPPPK), për rëndësinë që ka ruajtja e biodiversitetit dhe zhvillimi i ekoturizimit, përmes shfrytëzimit të qëndrueshëm të ekosistemeve pyjore.

Siç ka bërë të ditur Zyra e CNVP-së për Kosovë, këto aktivitete janë mbështetur nga projekti “Fuqizimi i Qëndrueshëm i Pyjeve Private dhe të Decentralizuara në Kosovë”, i cili implementohet nga CNVP-ja dhe mbështetet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (SIDA). Ky projekt në të ardhmen parasheh edhe shumë aktivitete të tjera, kryesisht me nxënës të shkollave, ku do të prezantohen materiale promovuese mjedisore, aksione për pastrimin e ambientit, si dhe do të demonstrohen ecje në natyrë, për ta promovuar rolin e natyrës në mirëqenien dhe shëndetin publik.

5 Qershori në kalendarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) është Dita Botërore e Mjedisit. Që nga vitit 1972 kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (e mbajtur në Stokholm të Suedisë) e caktoi datën 5 Qershor si ditën e vetëdijesimit të njeriut rreth çështjeve të mjedisit, organizohen aktivitete që tërheqin vëmendjen e politikave globale mjedisore, për të nxitur veprime në mbrojtje të tokës, ujit, shtresës së ozonit, ndryshimeve klimatike etj.


MË SHUME NGA Lajme