Gjyqtaret nga Kosova, pjesë e projektit të ri të FIBA Europe
Sharr Travel

Gjyqtaret nga Kosova, pjesë e projektit të ri të FIBA Europe

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) i ka nominuar tri gjyqtare, Irma Konjusha, Anjesa Haziraj dhe Lorena Haxha për projektin e ri të FIBA Europe për Gjyqtaret Nacionale të Talentuara.

Në fakt ka qenë FIBA Europe, më saktësisht Departamenti i Referëve/e të FIBA Europe ai që ka kërkuar nga Federatat Nacionale që t’i propozojnë gjyqtaret me potencial për projektin e ri për Gjyqtaret Nacionale të Talentuara, që do të fillojë nga mesi i muajit qershor.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së tha se ky do të jetë një rast i mirë për gjyqtarët nga Kosova që të tregojnë aftësitë e tyre në arenën ndërkombëtare.

“Federata e Basketbollit e Kosovës është shumë e përkushtuar në punën për zhvillimin dhe avancimin në vazhdimësi të basketbollit femëror. Dhe kur themi basketbollit femëror, e kemi fjalën jo vetëm për basketbollin femëror në fushën e lojës, por edhe basketbollin femëror në lidership, në adminsitratë, e kështu me radhë, andaj ne jemi të interesuar të përkrahim edhe gjyqtaret tona në zhvillimin e tyre, aq më shumë kur bëhet fjalë për gjyqtare që vijnë nga bota e basketbollit tonë.

Ka qenë Instruktori Nacional i FBK-së, Faton Kurshumlija, ai i cili i ka propozuar te Bordi i FBK-së gjyqtaret në fjalë, duke marrë parasysh faktin se është ai përgjegjës për zhvillimin e gjyqtarëve dhe gjyqtareve të FBK-së.

Këto gjyqtare kanë një përvojë tash e sa vite si gjyqtare, po ashtu janë ende lojtare aktive të basketbollit dhe të gjitha përcjellëse të FIBA SCOD Klinikave të FBK-së, si dhe kanë qenë pjesëmarrëse në FIBA Kampin e gjyqtareve në Postojna të Sllovenisë.

Ky projekt është një mundësi dhe përvojë shumë e mirëseardhur për gjyqtaret femra të FBK-se për avancim më intensiv në ndarjen e drejtësisë në të gjitha ligat e FBK-së sipas performancës dhe angazhimit të tyre”.