Këshilli i Integrimit, Cakaj: Negociatat me metodologjinë e re më strikte
BKT
Shqipëri

Këshilli i Integrimit, Cakaj: Negociatat me metodologjinë e re më strikte

Ecuria e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të ecë në frymën e konsensusit dhe bashkëpunimit ndërpartiak, sikur të ishin një trup i vetëm për këtë aspiratë të madhe të përbashkët.

Kështu theksoi ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj gjatë fjalës së tij në Këshillin e Integrimit Evropian.

“Në mars të këtij viti, Këshilli Evropian vendosi çeljen e negociatave për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë, duke iu përgjigjur pozitivisht kursit të reformave që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve”,- tha Cakaj, në nisje të fjalës së tij.

“Në vijim të tre raporteve dhe rekomandimeve pozitive të Komisionit Evropian, vendet anëtare njëzëri vlerësuan progresin e konsiderueshëm të Shqipërisë në Reformën në Drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën në administratën publike dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme sa i përket të drejtave dhe lirive themelore”,- vuri në dukje Cakaj.

“Raporti i fundit i Komisionit Evropian, jo vetëm që shpalos rezultatet e reformave të Shqipërisë ndër vite, por në fakt e konsideron Shqipërinë edhe shembull në rajon për shumë çështje, duke nisur nga reforma në drejtësi dhe deri tek fakti se Shqipëria ka njehsuar politikën e saj të jashtme me politikën e jashtme të sigurisë të BE.

Sidoqoftë,- vijoi Cakaj,- duhet nënvizuar se çelja e bisedimeve për anëtarësim në BE nuk është vetëm kurorëzim i arritjeve, por realisht është edhe hapje e kapitujve të rinj me sfida të shumta. Një gjë është fare e qartë, adresimi i të gjitha detyrimeve nuk është çështje e shkathtësive profesionale, apo kapaciteteve teknike, apo mobilizimit institucional, por mbi të gjitha kërkon vullnet politik. Duke patur parasysh, që pavarësisht dallimeve të brendshme politike në  Shqipëri, të gjitha grupimet politike ruajmë frymën evropiane në themelet e tyre programore, është tepër e rëndësishme pra, që të kemi konsensus për të vijuar përpara në adresimin e të gjithë objektivave të nevojshme, për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe më pas për adresimin e të gjitha çështjeve që do të paraqiten në kornizën negociuese”,- nënvizoi Cakaj

Ai tha se procesi i negociatave do varet nga disa faktorë.

“E para, lidhet drejtpërdrejt me kapacitet teknike dhe aftësitë e skuadrës shqiptare për të vijuar më tutje në rrugën e integrimit. Deri tani kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me autoritetet e Komisionit Evropian në adresimin e të gjitha detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit përkundër faktit që kemi vepruar në kushtet e rënda të imponuara nga pandemia COVID 19”,- u shpreh ai.

“Kemi kryer të gjitha nën komitetet e parapara për këtë vit dhe kemi një përmirësim të historikut të zbatimit të planit kombëtar të integrimit evropian. Nënvizoj se tashmë kemi shqyrtuar dhe analizuar 35 kapitujt e legjislacionit evropian, që është pjesë e ushtrimit të bërë në kuadër të screening. Kjo dëshmon që pala shqiptare do të hyjë në këtë proces me një përvojë më të madhe dhe me një ekspertizë të dalluar dhe do të kursejë kohë më shumë gjatë këtij procesi. Kemi mbyllur ngritjen e platformës së partneritetit me shoqërinë civile, ky është një proces që s’i takon vetëm qeverisë, por është një proces që kërkon përfshirjen e gjithë shoqërisë dhe besoj se kemi bërë hapat e duhura në këtë drejtim”,- tha Cakaj.

“Kemi ngritur edhe strukturën shtetërore përgjegjëse për zhvillimin e negociatave në lidhje me traktatin e aderimit në BE. Ky grup është ndërtuar sipas parimit të përfaqësimit të duhur politik, përfshirjen e nevojshme të ekspertëve edhe dhënies së hapësirës së duhur diplomatëve që kanë autoritetin dhe përvojën dhe aftësitë e nevojshme për të udhëhequr këtë proces kaq delikatë. Ky proces do udhëhiqet nga një diplomat me përvojë të vyer në diplomacinë shumëpalëshe dhe që gëzon cilësitë e nevojshme. Ai ka mbështetjen e plotë dhe të pakursyer për ta bërë punën e tij, që është dhe detyra më e lartë politike që sot ka Shqipëria”,- tha Cakaj.

“Ne jemi duke punuar me Komisionin Evropian për përgatitjen e planeve të veprimit për secilin kapitull. Procesi i negociimit vetëm sa ka filluar.  Në plan të veprimit kemi të ndara detyrat e parashtruara për qeverinë, për Shqipërinë. Afatet kohore dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e tyre. Nënvizoj, që në planin e veprimit që keni pranë jush, vetëm 7 kushtet e para janë të nevojshme për konferencën e parë ndërqeveritare, që duhen reflektuar në kornizën negociuese”,- tha Cakaj.

“Një nga këto pika ishte dhe Reforma Elektorale që gëzon unitetin e palëve të përfshira në këtë proces dhe kjo tepër e rëndësishme jo vetëm për të rritur cilësinë e procesit zgjedhor në Shqipëri, por edhe për të përmbushur një prej objektivave kryesore të paraqitura nga Bundestagu gjerman dhe Këshilli Evropian në përgjithësi, të cilët kanë kërkuar dhe funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, forcimin e institucioneve në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, uljen e numrit të azilkërkuesve dhe rishikimin e ligjit të medieve sipas rekomandimeve të komisionit të Venecias. Pas adresimit të këtyre çështjeve, Komisioni Evropian do dalë me një raport e do tregojë se kushtet e vendosura nga vendet anëtare janë përmbushur me sukses e për rrjedhojë hapet mundësia për konferencën e parë ndërqeveritare”,- tha Cakaj.

“Duhet të jemi absolutisht të vetëdijshëm edhe për faktin se negociatat do të zhvillohen edhe me metodologjinë e re, që është më rigoroze dhe strikte në qasje. Mes të tjerash një prej elementëve dallues është mekanizmi i prapakthimit në rast se progresi nuk është i duhuri. Nëse nuk do ketë progres do ketë regres. Status quo është e pamundur, prandaj është e rëndësishme të ndjekim të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian dhe të zbatohen kushtet e Këshillit Evropian. Të vazhdohet sjellja politike e Shqipërisë në raport me rajonin siç është kërkuar në komunikimin e komisionit të shkurtit 2018 dhe të vazhdohet sjellja evropiane në politikën e jashtme sa i përket  çështjeve madhore që reflektojnë vlerat tona të përbashkëta dhe kjo nënkupton konsensus të brendshëm pasi përballë BE nuk duhet të sillemi si përfaqësues të partive politike, por si një trup i vetëm shoqëror me një aspiratë të patjetërsueshëm që reflekton trashëgiminë tonë historike, interesat tona strategjike, vlerat tona kombëtare, dhe patjetër si instrument i reformave demokratike në Shqipëri”,- përfundoi ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme. /ATSh


MË SHUME NGA Shqipëri