Hoti priti në takim Ambasadorin Nicholas Abbott
BKT
Lajme

Hoti priti në takim Ambasadorin Nicholas Abbott

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, të cilin e falënderoi për mbështetjen e përhershme që ky vend mik i ka dhënë Kosovës.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Hoti potencoi se Qeveria e Kosovës aktualisht është e përqendruar sidomos në menaxhimin e pandemisë COVID 19 dhe në rimëkëmbjen ekonomike. Po ashtu, ai tha se Qeveria e Kosovës është tërësisht e përkushtuar të punojë për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë, Kryeministri Hoti tha se dialogu do të zhvillohet duke u bazuar në principe të qarta që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës. Pra, vijoi ai, ne angazhohemi për një marrëveshje që do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura me Serbinë dhe që do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë.

Duke e uruar Kryeministrin Hoti për detyrën e re, Ambasadori Britanik Nicholas Abbott tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përkrahë institucionet e Kosovës, si partner në projekte të përbashkëta, të cilat synojnë zhvillimin e Kosovës, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, ekonominë dhe meritokracinë në rekrutime.

Kryeministri Hoti dhe Ambasadori Abbott u pajtuan se pavarësia dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës janë të paprekshme.


MË SHUME NGA Lajme