Shqipëria e Kosova duhet t`i ulin barrierat
BKT
Lajme

Shqipëria e Kosova duhet t`i ulin barrierat

Të jesh ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë është një nga gjërat më të vështira dhe më të thjeshta Kështu thotë shkëlqesia e tij, z. Qemajl Minxhozi, ambasadori shumëvjecar në Kosovë, në një një intervistë ekskluzive për Nacionale.

Ai ka rrëfyer për përvojën e tij në Kosovë, raportet ndërqeveritare, situatën pas pandemisë si dhe si do të zhvillohet turizmi në plazhet shqiptare gjatë këtij viti.

Ambasadori Minxhozi është shquar për organizmin e një numri të madh aktivitetesh të llojeve të ndryshme.

.

Nacionale: Z. Ambasador, ju jeni nga ambasadorët e Shqipërisë më jetëgjatë në Kosovë. Ju kemi parë në shumë aktivitete. Çfarë do të thotë të jesh ambasador i Shqipërisë në Kosovë, kur bëhet fjalë për një popull, është më e lehtë apo më e vështirë sesa të jesh ambasador në një vend tjetër dhe pse?

Amb. Minxhozi: Të jesh ambasadori i Shqipërisë  në Kosovë është shumë e thjeshtë dhe shumë e vështirë. Është e thjeshtë sepse  unë jam bashkëkombës i juaji ,unë jam një pjesë tjetër e shqiptarisë dhe pjesë e hapësirës shqiptare, i një mentaliteti shqiptar i një kulture shqiptare, i një flamuri shqiptar prandaj jam një prej jush dhe një prej nesh. Është e vështirë pastaj sepse trajtohem si një ambasador, është një rast unikat, i veçantë që të jesh ambasador brenda një hapësire të përbashkët shqiptare. Fillimi  ka qenë i vështirë por prapë se prapë unë jam përshtatur shumë shpejt.

Nacionale: Çfarë do të veçonit nga eksperienca juaj në Kosovë?

Amb. Minxhozi: Kam shumë kujtime të veçanta. Unë jam pritur me shumë dashamirësi, kam  një komunikim të vazhdueshëm me gjithë njerëzit e thjeshtë, me institucionet e shtetit, me të gjitha qeveritë  që kanë qenë deri tani, pra kjo është qeveria e katërt, me të gjithë presidentët, kryeministrat kam pasur komunikim të shkëlqyer. Natyrisht mirëpritja ka qenë njëra nga përvojat më të mira që më kanë servuar në Kosovë.

Nacionale: Ka pasur një rritje të bashkëpunimit për sa i përket aktiviteteve kulturore ndërmjet dy vendeve. Çfarë mund të bëhet më shumë për kulturën shqiptare?

Amb. Minxhozi: Pjesa kulturore është pjesa më e prekshme që nuk ka nevojë fare për ambasada, nuk ka nevojë as për viza nuk ka nevojë për asnjë, sepse po të shkosh në një mbrëmje festive në Gjilan apo në Suharekë, nuk e merr vesh a je në Korçë apo në Elbasan apo në Shkodër, e njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri shumë nga këngëtarët e Kosovës  sidomos për brezin e ri, reperat e Kosovës janë të gjithë të talentuar, brezi i ri i njeh të gjithë. Ose edhe muzika këngëtarët e Kosovës, nuk do përmend ndonjë sepse ndoshta do të harroj por të gjithë janë të njohur. Një bashkëpunim i jashtëzakonshëm shpirtëror që nuk ka nevojë për ambasada. Tani çka mund të bëhet  më mirë natyrisht se ka hapësirë, sidomos ne fushën e kinematografisë e shoh që ka ngecje, gjithashtu edhe tek turizmi kulturor por ajo që mendoj unë është se ne jemi në një rrugë të mbarë, kemi një kalendar të përbashkët të manifestimeve si në Shqipëri dhe në Kosovë dhe ato janë realizuar shumë me sukses.

Nacionale: Si mendoni se po menaxhohet situata pandemike në vendin tonë dhe cili mendoni se është dallimi i menaxhimit të COVID-19 në mes Kosovës dhe Shqipërisë?

Amb. Minxhozi: Mendoj që si  Shqipëria dhe Kosova kanë qenë shembuj të suksesit. Edhe në Kosovë dhe Shqipëri situata është menaxhuar suksesshëm. Në Shqipëri ka pasur karakteristika sepse ne kemi Italinë me kufi. Italia ka pasur shumë probleme, dhe ne kemi një pjesë të madhe të popullatës nga Italia, p.sh. Kosova ka nga Gjermania, Franca ndërsa Shqipëria ka nga Italia. Përveç kësaj në Shqipëri është edhe kjo lidhja me tragete mirëpo janë marrë masa shumë të rrepta në mënyrë që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbrohen.

Nacionale: Sa janë duke ecur bashkëpunimet rajonale në mes të Kosovës dhe Shqipërisë?

Amb. Minxhozi: Çështja është se bashkëpunimet mes Kosovë dhe Shqipëri kanë filluar në baza qeverisëse. Që nga viti 2014 vazhdimisht kemi mbledhje. Momentalisht  kemi një shtangim për arsye të tërmetit në Shqipëri  dhe situatës me COVID por besoj që këto do të ringjallen shumë shpejt. Kanë dhënë një bursë  zhvillimit kulturor, ekonomik zhvillimit të gjithanshëm. Natyrisht shkëmbimet janë rritur por nevojë kemi të rriten gjithmonë e më shumë.

Nacionale: Pak  më parë kryeministrat e dy vendeve diskutuan në lidhje me heqjen e kufirit në mes Kosovës dhe Shqipërisë, kur mendoni se mund të ndodh një gjë e tillë?

Qemal Minxhozi: Çështja është të ulen barrierat, kufiri është vështirë të hiqet. Çështja është se duhet hequr barrierat ekonomike ,  që të hiqen këto barriera ekziston vullneti politik por natyrisht duhet marrur masa që të zbatohen nga segmentet  poshtë kupolës  qeveritare prandaj ne duhet të luftojmë cdo ditë rreth kësaj

Nacionale: Cilat mund të jenë aspektet pozitive dhe negative të heqjes së kufirit? A shihni rrezik për përhapjen e infeksionit?

Amb. Minxhozi: Vetëm pozitive ka po hoqëm barrierat, fillojnë shkëmbimet, vazhdojnë tej masë prurjet e reja ,zhvillimet  e reja  e kështu me radhë.

Nacionale: Cilat do të jenë masat e sigurisë që do të ballafaqohen turistët e huaj në Shqipëri sidomos ata nga Kosova, nëse do vendosin që pushimet t’i kalojnë në Shqipëri?

Amb. Minxhozi: Shqipëria ka marrë masa për rritjen e sigurisë shëndetësore nëpër hotele, restorante, plazhe, është bërë dezinfektimi,  masa për të pasur  një distancim social sa më të mbrojtur janë marrë,  por ajo që është shume e rëndësishme është  që  ne njerëzit vetë  duhet të jemi shume të kujdesshëm se është një çështje individuale.

Duhet të kenë  kujdes por megjithatë plazhet janë të hapura dhe vëllezërit motrat kosovare janë të mirëseardhur për të bërë pushime në Shqipëri.

Nacionale: Sa po bashkëpunojnë bizneset në mes të dy vendeve?

Amb. Minxhozi:.Ka një rritje shumë të mirë.. Ka rritje sa i përket viteve të kaluara, normalisht ky vit nuk numërohet për arsye të bllokimit nga COVID-19, mirëpo   ka rritje. Kosova dhe Shqipëria eksportojnë në mes vete rreth 360 milionë euro. Shqipëria rreth 300 milionë derisa Kosova rreth 60 -70 milionë.

Nacionale: Sa është rimëkëmbur Shqipëria pas tërmetit që ndodhi vitin e kaluar?

Amb. Minxhozi: Akoma nuk kemi rezultate të prekshme. Janë bëre të gjitha studimet, janë bërë projektet dhe shumë shpejt do të kemi rezultate duke finalizuar punën rreth rindërtimit dhe rimëkëmbjes. Akoma nuk ka filluar, por janë në proces, ndërsa sa i përket transferimit nuk e di sakte.


MË SHUME NGA Lajme