Gjermania kritikon Kosovën për mosratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare
BKT
Lajme

Gjermania kritikon Kosovën për mosratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare

Mosmiratimi i projektligjeve për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat kanë arritur pajtushmëri autoritetet e Kosovës, ka nxitur reagimin e ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e mbajtur më 11 qershor, ka dështuar të miratojë një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare financiare që Qeveria e Kosovës ka nënshkruar me mekanizmat ndërkombëtarë.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt ka kritikuar Kuvendin e Kosovës për këtë gjë.

“Fjala zhgënjim është shumë diplomatike. A do ta shohim së shpejti Kuvendin e Kosovës duke punuar? Kjo kishte të bënte me paketat e ndihmës për shtetin dhe popullin”, ka shkruar Heldt në një postim në rrjetin social, Twitter.

Ai ka bërë këto komente, ndërkohë që edhe shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, është shprehur “e zhgënjyer” që Kuvendi nuk ka miratuar këto legjislacione.

Marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Kosovës, sipas Kushtetutës duhet të ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

 


MË SHUME NGA Lajme