Realizimi i mësimit online në shkollat e Kosovës po vlerësohet i suksesshëm
Shkollat e Kosovës që nga fillimi i pandemisë kanë zhvilluar mësimin online që ju është mundësuar nga Ministria e Arsimit dhe Radio Televizioni i Kosovës (RTK), madje disa nga mësueset realizmin e mësimit online ju kanë ofruar edhe fëmijëve që ndodhen jashtë Kosovës.
Njëra nga mësueset është Donjeta Latifi Maliqi, nga Shkolla “Ismail Qemali”, në Prishtinë, e cila si shumë kolegë të saj, gjatë kësaj periudhe pos mësimit të obligueshëm që kishin fëmijët e klasës së II-të nëpërmjet mësimit online, ajo edhe nëpërmjet platformës zoom ka bashkëbiseduar me nxënësit e saj, madje ka ftuar edhe mysafir të ndryshëm që ora e fëmijëve edhe në këtë formë të bëhej më atraktive.
Njëra nga të ftuarat ishte edhe drejtoresha e Shkollës “Ismail Qemali”, Kimete Konjusha Dida e cila pos mesazheve dhe porosive që u dha fëmijëve për angazhimin e tyre për një të ardhme më të mirë, ajo i dëgjoi edhe kërkesat dhe dëshirat e tyre sa i përket mësimit. Madje fëmijët u interesuan ta pyesin drejtoreshën se kur do të rikthehen në objektin shkollor. E drejtoresha Kimete me një ëmbëlsi u tha fëmijëve që presin që shpejtë të përfundojë pandemia dhe të rifillojë mësimi në shkolla.

Mësuesja Donjeta për nxënësit e saj kishte menduar që po në platformën zoom të organizojë edhe orën e edukatës fizike. E ftuara e radhës ishte alpinistja jonë, Arineta Mula e cila me energjinë e saj pozitive dhe me dashurinë ndaj fëmijëve u bëri atyre orën minutë. Arineta nëpërmjet disa ushtrimeve për fëmijët online bëri që ata të qeshnin madje disa ushtrimet e dhëna nga alpinistja jonë e suksesshme i bënë për mrekulli.

E ftuara e radhës për fëmijët e klasës së II/6 të shkollës “Ismail Qemali”, ishte Rudina Bërdynaj-Jakupi. Ajo për nderë të Ditës së Vallëzimit, ju bashkua fëmijëve në platformën zoom, e cila ndau përvojën e saj me fëmijët. Madje mësuesja Donjeta deklaroi se sikur të ishin në klasë do të vallëzonin të gjithë së bashku. Rudina ndërkaq ishte shumë e kënaqur me interesimin e fëmijëve rreth vallëzimit, madje disa nga vajzat i tregonin asaj edhe mbathjet që përdorin për vallëzim në balet.

Për këta nxënës ishte rezervuar edhe një surprizë tjetër nga mësuesja e tyre. Këtë radhë mysafire kishin aktoren tonë të njohur Vjosa Abazi. Me Vjosën u shtjellua njësia mësimore: “Në teatrin e kukullave”. Vjosa me nxënësit ndau përvojën e saj si një aktore e mrekullueshme ku kishte edhe kukullat e saja afër, e që fëmijëve u fliste si kukull. Nxënësin ndërkaq vrapuan secili dhe sollën para kamërës kukullat e tyre të preferuara që të tregonin se sa të lidhur janë me to.

Për mësuesen Donjeta Latifi Maliqi mësimi online ishte një sfidë në vete duke pasur parasysh që me fëmijët ka komunikuar vetëm online. Megjithatë ajo shprehet optimiste se shumë shpejtë gjërat do të normalizohen dhe fëmijët t’i ketë pranë edhe fizikisht e cila thotë se po i mungojnë shumë.
Rtklive.com























