Meta dekreton ligjin për tatimin mbi të ardhurat dhe për huamarrjen
Presidenti Ilir Meta ka dekretuar me shpallje 2 ligje: Ligjin për tatimin mbi të ardhurat dhe ligjin për miratimin e huamarrjes prej 139 300 000 SDR-sh që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë.
Institucioni i Presidentit publikoi sot Ligjin për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, të Këshillit të Ministrave, “Për tatimin mbi të ardhurat””, të ndryshuar”.
“Ky akt ka mundësuar shtyrjen e afateve të parapagimit të kësteve të tatimit mbi fitimin të vitit 2020, duke mbështetur bizneset në drejtim të administrimit të likuiditeteve. Këto masa vlerësohen si të nevojshme për rehabilitimin e subjekteve të prekura si pasojë e pandemisë së COVID-19, veçanërisht të bizneseve të vogla, me qarkullim nën 14 milionë lekë”, shprehet institucioni i Presidenti.
Po ashtu, Presidenti dekretoi shpalljen e ligjin për miratimin e huamarrjes prej 139 300 000 SDR-sh që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI)”.
“Ky akt vjen si një masë mbështetëse nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, përmes një instrumenti të financimit të shpejtë, po në përballim të pasojave që ka krijuar në ekonomi pandemia e COVID- 19″, shprehet institucioni i presidencës./atsh























