Aktori Danny Masterson akuzohet për përdhunimin e tri grave
Aktori Danny Masterson, i njohur për rolin e tij në serialin e famshëm “That 70 `Show”, është akuzuar për përdhunimin e tri grave në fillim të viteve 2000.
Ai po akuzohet për përdhunimin e grave, të cilat ishin të gjitha në të 20-tat, midis viteve 2001 dhe 2003.
Masterson, 44 vjeçar, mohon akuzat dhe ka thënë se anëtarësimi i tij në Kishën e Scientologjisë ka çuar në përndjekjen e tij, raporton BBC.
Nëse shpallet fajtor, ai mund të vuajë deri në 45 vjet burgim.
Prokurorët nuk ngritën akuza në dy raste të tjera për shkak të provave të pamjaftueshme dhe skadimit të afatit të parashkrimit, transmeton Zeri.info.
Avokati i Mastersonit, Tom Tomere, tha që klienti i tij “është i pafajshëm”.
“Natyrisht, Z. Masterson dhe gruaja e tij janë në shok të plotë duke marrë parasysh që këto pretendime gati 20-vjeçare papritmas kanë rezultuar në ngritjen e akuzave, por ata dhe familja e tyre janë ngushëlluar duke ditur që përfundimisht do të dalë e vërteta”, tha Mesereau në një deklaratë.
Në vitin 2017, Netflix e largoi Mastersonin nga komedia “The Ranch” pasi akuzat dolën në dritë.
“Asnjëherë nuk jam akuzuar për një krim, e lëre më të dënohem për një. Në këtë vend, ju konsideroheni të pafajshëm derisa nuk shpallesh fajtor”, kishte thënë ai në atë kohë.
“Megjithatë, aktualisht, duket sikur ju paragjykoheni si fajtor në momentin kur akuzoheni”.
Masterson është martuar me aktoren dhe modelen Bijou Phillips që nga 2011.
Vitin e kaluar, katër gra ngritën padi kundër Mastersonit dhe Kishës së Scientologjisë, duke thënë se ato ishin përndjekur, ngacmuar dhe frikësuar pasi raportuan abuzimin e pretenduar.
Seriali “The 70 Show” – ku luajtën edhe Ashton Kutcher e Mila Kunis – u transmetua nga viti 1998 deri më 2006, duke fituar sukses të madh ndërkombëtar.























