PDK-ja pa qëndrim për zgjedhjet serbe në veri, kritikojnë reagimin e VV
PDK-ja pa qëndrim për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në veri, kritikojnë reagimin e Vetëvendosjes
Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka një qëndrim rreth zgjedhjeve të Serbisë në veri të vendit.
Anëtari i kësaj partie në KQZ, Arianit Elshani përmes një konference për media, tha se në institucionin zgjedhor ende nuk ka ardhur ndonjë kërkesë për mbajtjen e tyre, sapo të ketë diçka zyrtare, tha se do ngritin si çështje.
“Në KQZ deri më tani nuk ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare lidhur me mbajtjen e procesit zgjedhor të Serbisë në Kosovë. Sapo të kemi një çështje të tillë, PDK-ja do të ngrisim menjëherë këtë çështje”, tha ai.
Elshani kritikoi reagimet e fundit të Vetëvendosjes karshi qeverisë Hoti për mbajtjen e zgjedhjeve Serbe në veri. Ai tha se ato janë vazhdimësi e mashtrimit që e kanë bërë me qytetarët.
“Qëndrimet dhe reagimet e fundit të LVV-së lidhur me këtë temë janë një vazhdimësi e mashtrimit që kanë bërë me qytetarët. Gjatë 100 ditë të qeverisës janë mashtrime që kanë rezultuar me lejimin e konvojeve serbe në Kosovë. Mos të harrojmë që gjatë asaj qeverisje 100 ditore ka ndodhur një akt i shëmtuar ku janë lejuar personel shëndetësor në Kosovë, janë hapur tërësisht kufijtë me Serbinë”, tha ai.
Mbajtjen e nesërme të zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës e konfirmoi sot edhe kryeministri, Avdullah Hoti. Ndërkaq, pati reagime nga ish partia në pushtet, Vetëvendosje se kjo po dëshmon dorëzimin dhe gjunjëzimin e radhës karshi Serbisë.























