Gara në Sllatinë, reagojnë nga Ministria e Shëndetësisë
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka reaguar sot lidhur me disa gara automobilistike që po mbahen në pistën e vjetër të Aeroportit në Sllatinë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Hoti u shpreh i nervozuar lidhur me organizimet që po bëhen në vend, duke veçuar dasmat, ahengjet e një garë automobilistike që u zhvillua sot.
“Gara me vetura po; ahengje e dasma ilegale me bollëk; kafeteritë plot-pa maska, pa distancë fizike, pa higjienë adekuate; në supermarkete shitësit pa kurrfarë masash mbrojtëse, për klientët s’po flasim; shëtitje të panumërta individuale dhe të organizuara në Shqipëri e Mal të Zi dhe anasjelltas”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.
Kujtojmë se në Kosovë ditëve të fundit është rritur dukshëm numri i rasteve me koronavirus, siç po vlerëson IKSHPK për shkak të mosrespektimit të masave.























