Ky anëtar i KP të LDK’së konfirmon se votoi pro shkarkimit të Osmanit
BKT
Lajme

Ky anëtar i KP të LDK’së konfirmon se votoi pro shkarkimit të Osmanit

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Shaip Surdulli ka thënë se ka votuar pro që Vjosa Osmani të lirohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse në këtë parti.

Ai ka theksuar se nuk është hera e parë që Osmani ka dalë kundër vendimeve të LDK-së. Ai është shprehur se Vjosa Osmani ka kërcënuar duke thënë “e shohim në zgjedhjet e ardhshme”.

Sipas Surdullit, Osmani mendon të ketë përkrahje në kuadër të LDK-së dhe pretendon që ta drejtojë partinë.

“Unë kam votuar për, po d.m.th lirimit të saj nga nënkryetarja dhe Kryesia e LDK-së për shkak se nuk është hera e parë që ajo ka vepruar kundër vendimeve të LDK-së, strukturave, Këshillit, Kryesisë. Ka pasur mundësi me e ruajt besimin e elektoratit të LDK-së dhe qytetarëve plus ka kërcënuar, ka thënë e shohim në zgjedhjet e ardhshme që më keni diferencuar që nuk është dashtë me u shpreh ai lloj. Jo, jo s’ka paralajmëruar hala kurrgjë. Ajo mendon që në kuadër të LDK-së d.m.th ka me pas përkrahje edhe sipas asaj pretendon me e udhëheq LDK-në në të ardhmen, por nuk ma merr mendja që e fiton atë besim”, ka thënë Surdulli për Gazetën Sinjali.

Ai tutje ka shtuar se Osmani nuk do të ketë pozita udhëheqëse në LDK, pasi sipas tij, Këshilli i Përgjithshëm e ka dënuar për veprimet e saj.

“Me siguri për deputete mund të jetë kandidate, ndërsa për pozita udhëheqëse me vetë faktin që u shkarkua nga pozita e nënkryetares edhe prej Kryesisë, ky është një dënim që ia ka dhënë Këshilli i Përgjithshëm për shkak të veprimeve që ka bërë. Nëse ajo ndryshon qasjen dhe zotohet se do t’i respektojë vendimet e subjektit të vetë që i takon ndoshta mund ta rikthejë besimin”.

Surdulli i është drejtuar Osmanit përmes një komenti në Facebook, duke i thënë asaj se ka pasur mundësinë që t’i mbrojë interesat e LDK-së, por sipas tij, Osmani ka qenë dhe është në shërbim të partive të tjera politike.

“Me padurim kam votuar PO sepse nuk është hera e parë që vepron e voton kundër vendimeve të strukturave të LDK-së. Edhe mos u kërcëno ndaj neve që jemi shumicë absolute, që kemi votuar PO lirimit të juaj nga pozita e nënkryetares dhe Kryesisë së LDK-së sepse nuk ka me tu dhënë rasti që nga LDK të kandidohesh për ndonjë pozitë të lartë. E ke pasur mundësinë me i mbrojtur interesat e LDK-së, por ke qenë dhe je në shërbim të partive tjera politike”.

Gjatë ditës së djeshme me 70 vota pro,  Vjosa Osmani është shkarkuar nga posti i nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK-së.


MË SHUME NGA Lajme