OVLUÇK do të kërkojë ndryshimin e Ligjit për Specialen
BKT
Lajme

OVLUÇK do të kërkojë ndryshimin e Ligjit për Specialen

Pajtim Çuni, Radio Kosova

Pas propozim-aktakuzës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, për presidentin e Kosovës dhe kreun e PDK-së, në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UCK-së, thonë se do të kërkojnë nga Kuvendi shfuqizimin apo edhe ndryshimin e mandatit të Gjykatës Speciale. Për juristë, kjo nismë është vështirë e realizueshme dhe do të ishte e rrezikshme e me pasoja për Kosovën.

Më 3 gusht 2015 u krijua Gjykata Speciale, pas miratimit të ligjit për krijimin e saj, nga Kuvendi i Kosovës. E pak pa u bërë pesë vite nga themelimi i saj, u publikua propozim-aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ku pretendohet se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë, janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. 

Për Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, propozim-aktakuza për Thacin e Veselin është politike. Nasim Haradinaj, nga kjo organizatë, në një konferencë për medie, dje tha se, nga Kuvendi do të kërkojnë ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, e cila sipas tij, duhet të merret edhe me krimet që serbët kanë kryer në Kosovë.
 
“Organizata e Veteranëve të Luftës ka vendosë që të kërkohet nga Kuvendi i Kosovës që të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale, për arsye se duhet të gjykohen të gjitha krimet e kryera në Kosovë, edhe ato serbe. Ne do të përdorim të gjitha format demokratike, kundër kësaj gjykate, duke mos përjashtuar as portestat”, tha ai.
Megithë kërkesën e vetëranëve, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radio Kosovën se, shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale apo ndryshimi i mandatit të saj, ndonëse i mundur praktikisht, është vështirë i realizueshëm.    

“Çdo plotësim-ndryshim apo shfuqizim i ligjit mbi Dhomat e Specializuara kërkon votën e së paku 80 deputetëve. Çdo iniciativë që do të prekte mandatin e Gjykatës Speciale, nga ana e Kuvendit të Kosovës, do të ishte në pah të kritikave nga faktori ndërkombatër, të cilët së paku nga ajo që kemi parë deri tash, nuk mbështesin dhe nuk do të lejojnë që që një gjë e tillë të ndodhë”, tha Miftaraj. 
Miftaraj thotë se ideja për ndryshimin e mandatit të Gjykatës Speciele, është një avanturë e rrezikshme që mund të sjellë pasoja.  

“Nëse Kosva dëshirton të merrë një aventurë të tillë atëeherë sigurisht se nuk duhet përjashtuar mundësia se Kosova do të ballafaqohet me sanksione të ashpra nga partnerët ndërkombatrë stratëgjik si SHBA-të etj”, tha ai.
Një nismë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale e inicuar nga deputetë të Kosovës kishte dështuar në dhjetor të 2017-tës. E për këtë iniciativë kishin reaguar ashpër ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

 


MË SHUME NGA Lajme