“Parlamenti të miratojë Kodin e ri Zgjedhor në seancën e radhës”
Sharr Travel

“Parlamenti të miratojë Kodin e ri Zgjedhor në seancën e radhës”

“Miratimi pa vonesa i ndryshimeve konsensuale në Kodin Zgjedhor do të ishte hapi i parë për të dëshmuar vullnet për përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave”, shkroi pak minuta më parë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Më tej, në postimin e tij në Facebook, Bardhi shtoi se çdo ditë që vonohet përfshirja e këtyre ndryshimeve për miratim në seancë plenare është një ditë e humbur në rrugëtimin e Shqipërisë në BE.

“Zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ-së për zbatimin e identifikimit biometrik. Kryetari i Kuvendit të ushtrojë përgjegjësinë e tij për të mundësuar përfshirjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në seancën plenare të radhës. Në këtë mënyrë, 3 vite nga fillimi i punës për Reformën Zgjedhore dhe 1 muaj nga Dakordësia e 5 Qershorit, Shqipëria ka shansin të tregojë se integrimi evropian është vërtetë prioritet kombëtar dhe se institucionet janë të përkushtuara për të ushtruar përgjegjësitë e tyre, pa vonesa, në këtë proces jetik për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, përfundoi sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.