​3 viktima dhe 82 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri
Sharr Travel

​3 viktima dhe 82 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Në 24 orët e fundit, fatkeqësisht, një 63 vjeçare nga Tirana, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 60 vjeçar nga Elbasani, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavaresisht trajtimit në terapi intensive dhe përpjekjeve të stafit mjekësor.

Pavarësisht të shëruarve, vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 78 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 368 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 30 raste në Tiranë, nga 6 raste në Shkodër, Kavajë, Fushë-Arrëz, 5 në Vlorë, nga 4 raste në Krujë, Durrës, Lushnje, nga 2 raste në Fier, Kurbin, Korçë, Berat, Dibër, Vau i Dejës, dhe nga 1 rast përkatësisht në Elbasan, Lezhë, Has, Pukë dhe Rrogozhinë.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 43 qytetarë, duke e çuar në 1559 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 1034 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të mos e ulin vigjilencën dhe të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura:

Qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani duart, përdorni patjetër maska ose barriera mbrojtëse kur nuk mund të ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.

Mos neglizhoni asnjë shenjë të sëmundjes. Në rast se ju apo një i afërm i juaji keni shenja klinike të Covid19, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.