Rilindja e Granit Xhakës
Sharr Travel

Rilindja e Granit Xhakës

Gazetari anglez, Dan Mountney, ka shkruar për rrugëtimin e shpagimit të mesfushorit shqiptar me nënshtetësi zvicerane, Granit Xhaka.

Kur Xhaka finalizoi një lëvizje të bukur duke dërguar topin në rrjetën e portës së Norwichit në “Emirates” mbrëmjen e së mërkurës, emocionet e 12 muajve të vështirë ishin të qarta për të gjithë në festimin e tij.

Me regjimin e Unai Emeryt në ditët e fundit, mesfushori Xhaka ishte kthyer në një objektiv për revoltuesit, derisa e vërshëllyen gjatë barazimit 2:2 me Crystal Palacen.

Ai hoqi shiritin e kapitenit dhe më pas edhe fanellën, të cilën e gjuajti në tokë gjatë largimit të tij nga fusha.

27-vjeçarit iu hoq shiriti i kapitenit dhe derisa perandoria e Emeryt po shkërmoqej, Xhaka nuk shihej askund dhe dukej se Hertha Berlini ia ofroi atij shpëtimin.

Në shumicën e revolucioneve, një lider i ri merr udhëheqjen dhe ofron shpresë për një të ardhme më të mirë për njerëzit. Kjo ndodhi në “Emirates”.

Me Emeryn e larguar, Arsenali u kthye kah Mikel Arteta dhe aty filloi shpresa dhe shpagimi i Xhakës.

Arteta menjëherë e bindi mesfushorin që të qëndrojë dhe e lavdëroi atë, duke thënë: “Me mënyrën që ne duam të luajmë, nëse arrijmë ta mbajmë ai mund të jetë një lojtar i jashtëzakonshëm për klubin”.

Duket se trajneri i ri i Arsenalit kishte gjetur një gjeneral për ta ndihmuar regjimin e tij të ri dhe Xhaka është kthyer në figurën kyçe nën drejtimin e Artetas, duke luajtur titullar thuajse në të gjitha ndeshjet që prej emërimit të tij në dhjetor.

Mesfushori madje edhe e mori sërish shiritin e kapitenit në 10 minutat e fundit ndaj Norwichit.