Basha: Do ta heq taksën në Rrugën e Kombit kur PD të vijë në pushtet
Sharr Travel

Basha: Do ta heq taksën në Rrugën e Kombit kur PD të vijë në pushtet

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mori sot premtimin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se kur ai të vije në pushtet do ta heq taksën në Rrugën e Kombit.

Hoti falënderoi Bashën për mirëpritjen teksa shtoi se në takim kanë biseduar edhe për menaxhimin e pandemisë COVID-19, transmeton Telegrafi.

“Biseduam për sfidat që kemi si qeveri dhe planin tonë për rimëkëmbjen ekonomike dhe qasjen që e kemi karshi situatës së krijuar në Kosovë, dëgjuam këshillat e kryetarit Basha dhe të Partisë Demokratike. Kemi ndarë të gjitha shqetësimet që duhet të adresojmë si dy shtete dhe unë kam zotimin e zotit Basha që ajo taksë do të hiqet”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, Basha theksoi se heqja e taksës në Rrugën e Kombit do të jetë një nga vendimet e ditëve të para të qeverisë së ardhshme.

“Premtimi im qëndron. Do të jetë një nga vendimet e para të qeverisë së ardhshme, heqja e taksës e Rrugës së Kombit. Sikundër, i kam kërkuar kryeministrit Hoti të bëjmë gjithçka për të ndihmuar sado pak turizmin në këtë kohë të vështirë. Sot paradite kam qenë në Velipojë, gjatë gjithë javës kam vizituar vijën bregdetare dhe kam parë situatën shumë të rëndë të turizmit, që përbën ¼-ën e ekonomisë shqiptare. Të vetmit turistë që takova janë nga Kosova”, deklaroi ai.

Ndryshe, Hoti sot ka takuar edhe  presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, kryetarin e Tiranës, Erion Veliaj.