Kosova ende pa një ligj për pandeminë Covid19
Sharr Travel

Kosova ende pa një ligj për pandeminë Covid19

Edhe pse është thënë disa herë se vendit i duhet një ligj për pandeminë Covid19, Kosova ende nuk ka një ligj të tillë. Madje, edhe përkundër rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese që të nxjerret një ligj i tillë, ende s’është ndërmarrë asnjë nismë ligjore. Juristët thonë se miriatimi i ligjit për pandeminë i cili do trajtonte të drejtat dhe kufizimet e lirive të qytetarëve është mëse i nevojshëm.

Ndonëse vlerësohet i nevojshëm dhe nxjerrjen e tij e kërkoi edhe Gjykata Kushtetuese, njëjtë si qeveria Kurti, as qeveria Hoti, ende nuk ka ndërmarrë iniciativë për nxjerrjen e një ligji për pandeminë Covid19. Megjithëkëtë, qeveria dhe vetë kryeministri Avdullah Hoti vazhdojnë të punojnë dhe të bëjnë thirrje për respektimin e masave antikovid.

“Maskat, distanca fizike, larja e duarve. Jeni të obligueshëm të gjithë t’i ndërmarrim këto masa. Kur ecim në rrugë, kur vijmë në punë, kur hyjmë në market, kur hyjmë barnatore – gjithëkund.  Cdo kush që nuk zbaton masat bënë vepër penale, sepse rrezikon shëndetin e vet, jetën e vet, por edhe të qytetarëve të tjerë ”, tha ai.

Deklarata e kryeministrit Hoti, se kushdo që nuk respekton masat antikovid, bënë vepër penale, u cilësua si e pabazë nga disa juristë. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se mos respektimi i masave antikovid nuk përbën vepër penale. Ai kërkon që sa më parë të miratohet një ligji i veçantë për pandeminë, i cili do trajtonte të drejtat dhe kufizimet e lirive të qytetarëve.

“Është jashtëzakonisht i rëndësishëm që Kosova të ketë një ligj të tillë, përmes të cilit do të përcaktoheshin veprimet që duhet ndërmerren qoftë nga qytetarët, bizneset apo edhe institucionet. Masat e ndërmarra nga qeveria deri më tani janë kryesisht rekomandime dhe në bazë të ligjit nuk kanë karakter obligativ, e për këtë edhe institucionet ligj-zbatuese nuk mund të ndërmarrin masa ndaj qytetarëve”, tha ai. 

Miftaraj thotë se për aq kohë sa nuk ka një ligj për pandeminë, institucionet, masa mund të ndërrin vetëm ndaj qytetarëve që kanë rezultuar pozitiv me Covid19. Për mos miratimin e ligjit, Miftaraj kritikon partitë politike për mungesë vullneti. Miratimin e një ligji për pandeminë e ka kërkuar edhe Gjykata Kushtetuese, në dy raste kur ka konstatuar se masat antikovid të vendosura nga qeveria Kurti, ishin antikushtetuese.

Autor: Pajtim Çuni